E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakome, kryekomunari i Nivicës në qeli

VENDIMI/ Gjykata e Sarandës la në burg katër personat e ndaluar në përplasjen mes policisë e protestuesve në Kakome

SARANDË – Gjykata ka vendosur “burg pa afat” për kryetarin e komunës së Nivicës, si dhe tre banorë të tjerë të këtij fshati. Katër të pandehurit u vunë në pranga pas përplasjes së policisë me protestuesit të cilët kishin bllokuar rrugën që të çonte në Kakome. Niviciotët u tubuan në Grykën e Prodanit dhe pas ndërhyrjes së policisë thyen xhamat e makinave të uniformave blu, por edhe të firmës përfaqësuese që kërkon të nisë punimet për ndërtimin e një fshati turistik në Kakome. Për dëgjimin e vendimit të gjykatës, përpara godinës u mblodh një turmë qytetarësh nga Saranda dhe Nivica. Qytetarët e grumbulluar para gjykatës, me mbërritjen e të ndaluarve të vendosur në pranga, artikuluan thirrjet “Poshtë diktatura!”, “Poshtë hajdutët!”, “ Ky është fundi juaj!” etj. Këto thirrje i shoqëruan të prangosurit deri në sallën ku do të zvillohej seanca. Çështja në ngarkim të Klement Baxherit, kryeplak i fshatit Nivicë, Thanas Vitos, Sokol Mingulit dhe Nevil Papagjikës, pati si prokuror Alfred Agollin, prokuror i Sarandës. Katër të ndaluarit para trupit gjykues nuk pranuan asnjë prej akuzave të ngritura në drejtim të tyre. Burime nga gjykata thanë në përfundim të seancës se për katër të ndaluarit ka mbetur akuza “kundërshtim me dhunë i policisë” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Për katër të pandehurit u vendos masa “arrest me burg”. Të njëjtat burime thanë se ndaj të prangosurve kanë rënë akuzat e çastit të arrestimit “vjedhje” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Turma e grumbulluar para gjykatës përcolli qetësisht katër të prangosurit drejt qelive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›