E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, nxënësit, mësim mes shiut dhe erës

SHKOLLAT/ Shumë prej shkollave 9-vjeçare kanë mungesë xhamash, sobash, si dhe sistemit të ngrohjes për dimër

BERAT- Dimri e ka gjetur një pjesë të shkollave të Beratit në krizë për sistemin e ngrohjes. Bora dhe shirat e parë kanë trokitur prej një jave në këtë qytet, ku për shkollat të cilat nuk kanë sistem ngrohjeje nuk është marrë asnjë masë. Janë gjithsej 18 shkolla të cilat do të përballen me të ftohtin në muajt e dimrit, gjashtë prej të cilave do të kenë vështirësi në zhvillimin e mësimit në acarin e këtyre muajve. Ulja e temperaturave ndjeshëm të ditëve të fundit ka bërë që shumë drejtues shkollash t’i drejtohen Drejtorisë Arsimore. Sipas disa drejtuesve, në shkollat e tyre ende nuk ka soba dhe dru zjarri. Ata shprehen se ambientet ku zhvillohet mësimi janë shumë të ftohta dhe në disa raste nuk bëhet mësim, pasi nxënësit nuk janë të përqendruar. Qëndrimi me xhupa e bën të vështirë përqendrimin e tyre, aq më tepër në orët kur iu duhet të shkruajnë. Drejtori i shkollës “Shyqyri Lakra”, Stavri Zharra, pohon për gazetën "Shekulli": "Në shkollën tonë ka mungesë të xhamave. Ne mundohemi që mësimin ta zhvillojmë normalisht, por mungesa e xhamave e bën të vështirë. Por edhe në ato klasa që kanë soba, mungojnë drutë". Drejtori thotë se për xhamat kanë bërë kërkesë pranë bashkisë, por ende nuk ka pasur ndonjë reagim. Për kushtet shprehen të shqetësuar edhe nxënësit. Xhulia, nxënëse e klasës së tretë thotë: “Nuk e heq xhupin asnjëherë, sepse kam shumë ftohtë. Rri dhe në bankën e parë dhe dritarja është shumë afër meje, ndonjëherë më lagen dhe librat se nuk kemi as xhama në klasë”. Të njëjtin shqetësim ndajnë dhe nxënësit e shkollës “Mangalem” të cilët në vend të xhamave kanë vënë plastmas për mbrojtjen nga shiu. Gjithashtu dhe shkolla “1 Maji” ka probleme. Drejtori i sajpohon se shkolla nuk ka asnjë mjet ngrohjeje. Shkollat e rikonstruktuara gjatë viteve të fundit, gjithashtu kanë probleme, pas sistemi i tyre për ngrohjen me dru nuk funksionon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›