Andi Toma lodhet, kërcënon banorët: Do të dërgoj rruspat
Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve takohet me banorët që prej dy vjetësh po pengojnë punimet për segmentin Myç-Mamëz-Morinë
Banorët kërkojnë që të bëhet rivlerësimi i pronës së tyre me një tjetër komision, për të marrë më shumë para
KUKËS – Duket se dy vjet janë të mjaftueshme për të vënë në provë durimin e një shteti e aq më tepër të një personi. Në një takim të zhvilluar në Kukës, drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, ka kërcënuar banorët e gjashtë familjeve që po pengojnë zhvillimin e punimeve, se tashmë durimi ka sosur. Ai është treguar mjaft i ashpër me pronarët duke i akuzuar se po luajnë me durimin e organeve shtetërore me veprimet bllokuese të tyre dhe i ka paralajmëruar se do t’iu shembë shtëpitë nëse nuk vazhdojnë me proceduarat e legalizimit të banesave, që do të pasoheshinme shpronësimin e tyre nga qeveria. “Shpronësimet nuk mund të shtyhen në pafundësi. Mos luani me durimin tonë, por as me fatin tuaj. Ka dy vjet që na pengoni. Veprimet tuaja janë të paligjshme. Legalizoni shtepitë që të hyni në procedurat e shpronësimeve, në të kundërt do t’ju sjell rruspat”,- kërcënoi pronarët drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve. Në po të njëjtën mënyrë ka reaguar edhe drejtori i Shpronësimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Kërkesës së banorëve për një rivlerësim të pronës së tyre, ende të palegalizuar a ii është përgjigjur: “Mos spekuloni me ngarkesën e punës sonë. Shpronësimi nuk është zyrë bamirësie. Është shpronësim për interes publik. Janë bërë disa vlerësime, por ju nuk do të bini asnjëherë dakord. Komisionet e rivlerësimet edhe mund të ngrenë, por edhe mund të ulin çmimet. Vlerësimi aktual është rreth 220 euro për metër katror. Janë rreth 60 mijë pronarë që kërkohen të shpronësohen nga ndërtimet e rrugëve në Shqipëri”. Në përfundim të takimit drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve kërcënoi sërish me rruspa. “Kemi ardhur veçanërisht për të dhënë e për të marrë mesazhe të qarta se shpronësimet nuk mund të shtyhen. Unë do të sjell rruspën nëse do të vazhdoni të talleni me shtetin”,- përfundoi Andi Toma. Por banorët pretenduan se nuk kishin para mjaftueshëm për të paguar tarifat e procesit të legalizimit, pretendim që duket se u “zgjidh”, pasi firma ndërtuese “Kastrati&Arifaj JV” ka marrë përsipër që t’u japë para borxh pronarëve të shtëpive që të paguajnë tarifat e legalizimit, si dhe t’u paguajë qiratë e banesave ku ata do të vendosen për një periudhë tremujore, me kusht që të lirojnë shtëpitë brenda 10 ditësh. Megjithatë banorët e gjashtë shtëpive që prej dy vitesh mbajnë “peng” vazhdimin e rrugës deklaruan thjesht se pa ardhur një komision i ri vlerësimi nuk do t’i lirojnë shtëpitë.