E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vdekur pas tre muajsh 27-vjeçari

Trupi i pajetë i një të riu është gjetur dje paradite brenda një kabine elektrike në fshatin Xhafëzotaj të Durrësit. Policia lokale njoftoi se kufoma në gjendje të dekompozuar që u gjet dje i përket 27-vjeçarit Alket Balla, i cili ishte denoncuar si i humbur nga familja tre muaj më parë.

Kufoma është gjetur nga disa punonjës të ndërmarrjes elektrike, të cilët kishin shkuar në këtë nënstacion për të kryer disa riparime. Pas gjetjes së kufomës, punonjësit kanë njoftuar policinë, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje bashkë me një grup hetimor. Kufoma është përcjellë drejt morgut të qytetit, ku është bërë dhe identifikimi i saj nga familjarët e të ndjerit. Ndërkohë, ekspertët mjekoligjorë kanë kryer dje autopsinë e kufomës, për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Megjithëse rezultatet e autopsisë nuk kanë dalë ende, policia dyshon se vdekja ka ardhur nga rënia në tension, pasi trupi i pajetë është gjetur fare pranë një burimi të fuqishëm energjie elektrike. Ndërkohë, ekspertët mendojnë se i riu mund të ketë hyrë në këtë kabinë elektrike, që ndodhet larg banesës së tij, për të vjedhur materiale prej bakri që shiten shtrenjtë në tregun e zi të Skrapit. Nëse policia do të vërtetojë këtë version paraprak të ngjarjes, atëherë ky rast do t‘i shtohet listës së gjatë të vdekjeve aksidentale të hajdutëve të materialeve prej metali. Më parë, këtë vit, dy persona janë gjetur të vdekur brenda kabinave elektrike në Korçë. Ndërsa në Durrës, një i ri rrezikoi seriozisht jetën pasi ra në kontakt me tensionin e lartë brenda një kabine elektrike. Ndërsa në Tiranë, tre persona kanë gjetur vdekjen vetëm gjatë këtij viti, duke mbledhur hekurishte për skrap.

Për shkak të rritjes së çmimit të metaleve, numri i personave që sigurojnë jetesën duke mbledhur hekurishte për skrap është rritur shumë. Njëkohësisht është rritur edhe numri i atyre që këto hekurishte i sigurojnë duke vjedhur. Në këtë kuadër, kabinat elektrike mbeten më të synuarat nga hajdutët, pasi brenda tyre ka pajisje prej bakri, që shitet shtrenjtë në tregun e zi. Magazinat e vjetra të ish-ndërmarrjeve shtetërore janë një tjetër kategori objektesh të synuara nga hajdutët dhe ku rreziku për jetën është gjithashtu i madh, pasi pjesët e metalta hiqen nga konstruksioni bazë i ndërtesave duke shkaktuar shembjen e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›