E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet policia, të prekurit nga reforma mund të ripranohen

Në kohën kur sapo kemi hyrë në vitin elektoral, policia shqiptare njofton të gjithë punonjësit e nxjerrë në reformë se kanë edhe një shans për t‘u pranuar sërish për t‘i shërbyer atdheut. Me anën e një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit lajmëronte dje se "për nevoja pune" behët sërish ristrukturimi në radhët e policisë. Pas vitit 2005, vit kur erdhi në pushtet Partia Demokratike, u kryen një sërë reformash në radhët e uniformave blu, ku u largua rreth 30 për qind e organikës. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit u larguan nga postet, duke u transferuar në rrethe të largëta. Pas "degdisjes", ata u vetëdorëhoqën, duke i kushtuar rëndësi aktivitetit privat. Por, tashmë vjen një lajm i ri se mund të ripranohen, por duket se tashmë është vonë. Shumica e punonjësve të policisë mund të presë edhe disa muaj me shpresë se diçka mund të ndryshojë në lidhje me profesionin e tyre. Gjithsesi, hallexhinjtë apo të papunët tashmë kanë një shans për të nxjerrë bukën e gojës për disa muaj, pasi janë lënë në mëshirë të fatit për tre vite me radhë.

Pranimet në polici

Me qëllim njoftimin e të gjithë punonjësve, që kanë dëshirë për të punuar, Policia e Shtetit njofton se "për nevoja pune, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë se Shtetit njofton të gjithë shtetasit që kanë punuar në strukturat e policisë dhe dëshirojnë të ripranohen në këto struktura, se duke filluar nga dita e hënë, datë 29 shtator 2008, mund të aplikojnë pranë Drejtorive të Policisë së Qarqeve ku kanë vendbanimin". Tentativa për të rikthyer kuadrot dhe punonjësit në funksionet e lira organike, është në përputhje me nenin 58 të Ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit". "Aplikimet mund të bëhen vetëm nga ish-punonjësit e policisë që janë larguar nga policia me motivacionin ‘Për shkurtimi të funksionit organik‘ ose ‘Me kërkesën e tyre‘. Për dokumentacionin që duhet të paraqitet do të informoheni pranë Drejtorive të Policisë së Qarqeve, ku do të bëni aplikimin", thanë burimet nga Policia e Shtetit.

Kush nuk pranohet

Por, në ligjin e Policisë së Shtetit nuk pranohen punonjësit që janë larguar si të paaftë nga ana shëndetësore me vendim të komisionit mjekoligjor. Gjithashtu nuk pranohen punonjësit e policisë që nuk kanë pranuar uljen në gradë, si dhe punonjësit e policisë që janë punësuar në struktura të tjera të administratës publike, në funksione që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike. "Nuk pranohen punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën për pension të plotë pleqërie dhe ata që nuk kanë kaluar kursin e Shkollës Bazë të Policisë", thanë burimet nga Policia e Shtetit. Gjithashtu jashtë uniformave blu mbeten të gjithë të larguarit që janë dënuar me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe kur ndaj tij merret masa disiplinore e përjashtimit nga policia.

Reforma e policisë

Drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi disa javë më parë se në ligjin e ri, të miratuar nga qeveria, përfshihen rreth 9700 punonjës policie. Ai thekson se janë identifikuar një numër punonjësish që nuk përmbushën kërkesat e vjetërsisë për gradë, si në strukturat me uniformë në polici ashtu dhe në strukturat që kryejnë shërbime mbështetëse. "Ndërkohë që, shumica e këtyre punonjësve përmbushin kriteret për të vazhduar shërbimin në Policinë e Shtetit në funksione me grada më të ulëta, në përshtatje me aftësitë dhe përvojën e tyre. Po merren të gjitha masat e nevojshme për transferimin e këtyre punonjësve për të qëndruar në shërbim në pozicione të tjera, të përshtatshme për gradën që përfitojnë", tha Prençi, duke i vënë theksin se është një numër mjaft i vogël i punonjësve të policisë të nivelit zbatues, të cilët për mosplotësim të kritereve ligjore, nuk do të mund të vazhdojnë të shërbejnë në Policinë e Shtetit.

Dukuria

Ligji, policët humbasin

gradat pas ripranimit

Çdo e mirë e ka një të keqe pas. Kjo fjalë e urtë popullore gjen zbatim te njoftimi i "mirë" i policisë shqiptare, e cila bënte me dije se sot do të fillojnë aplikimet për pranimet në polici të të larguarve. Por, njoftimi i "keq" është se të ripranuarit do të humbasin gradat që kanë pasur në momentin që janë larguar. Në ligjin "Për policinë", neni 58/2, thuhet se "Nëse ripranimi bëhet pasi kanë kaluar 12 muaj të pandërprerë, punonjësi i policisë vazhdon karrierën një gradë më poshtë nga ajo që mbante para lirimit ose ricertifikohet për gradën që mbante më parë". Disa muaj më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, do të deklaronte se për ligjin e ri janë marrë masat e plota teknike-organizative dhe procedurale, duke filluar me ngritjen pranë çdo strukture policore të komisioneve kalimtare e deri te përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm dhe formularëve përkatës. "Fazat kryesore në përgatitjen dhe zhvillimin e këtij procesi, që do të finalizojë një strukturë moderne dhe efektive të gradave në polici, janë realizuar në konsultim të gjerë dhe me debate brenda strukturave të policisë dhe ‘komisioneve kalimtare respektive‘. Kalimi në sistemin e ri të gradave që duhej të përfundonte brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe afati maksimal ishte data 11 qershor 2008, tashmë është realizuar dhe ndodhemi në fazën e shpërndarjes së tyre", tha Prençi. Më tej sqaroi se në këtë kuadër u hartuan edhe aktet administrative, të cilat specifikuan me hollësi rregullat dhe procedurat që do të ndiqeshin për dhënien e gradave të reja, afatet, strukturat përgjegjëse si dhe mënyrat për marrjen e vendimeve sa më të sakta për lëvizjen e personelit nga grada në gradë. Kryepolici tha se në përfundim të këtij procesi përllogaritës, çdo punonjës policie ka marrë informacion të plotë për rolin, gradën dhe funksionin që i takon në zbatim të këtij legjislacioni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›