Gjendet i vdekur shqiptari, akuzohej për vrasjen e prindërve
Artur Shehu u gjet pa jetë në një liqen në Miçigan. Ishte zhdukur që pas vrasjes së dy prindërve
Sarandë- Gjendet i vdekur në një liqen të Miçiganit, Artur Shehu, i akuzuar për vrasjen e prindërve të tij në SHBA. Lajmi është bërë i ditur nga policia e Çikagos, e cila bën me dije se në bazë të verifikimeve të para trupi i pajetë i përket shqiptarit nga Konispoli. Dyshohet se ai është i vrarë me plumb në kokë, por ende nuk ka të dhëna të sakta lidhur me vdekjen e të riut, i cili mori me vete edhe të vërtetën për vdekjen e prindërve në shtëpinë e përbashkët në Vila Park të Çikagos në SHBA. Arturi rezultonte i zhdukur që nga mbrëmja që u vranë prindërit e tij, Syrja e Sabo Shehu, në datën 7 janar. Sipas policisë, për këtë vepër u akuzua Arturi, 33-vjeçar, për të cilin u tha se u gjet edhe një letër në banesë. Letër, që sipas policisë ai pranonte autorësinë e krimit të dyfishtë ndaj prindërve. Sipas banorëve të fshatit ku u varrosën prindërit e tij, Arturi ishte djali i vetëm i familjes dhe ka tre motra të martuara. Familja Shehu u shpërngul nga Konispoli pas burgimit të të atit si pjesëmarrës në komplotin e Teme Sejkos. Me daljen nga burgu, Syrjai familjarisht vendoset në Piqeras të Bregdetit, ku lindi edhe i biri. "Djali dallohej për rezultatet e mira në shkollë, por ka qenë shumë i mbyllur që i vogël, mesa duket nga problemi që kanë pasur në biografi"- thonë bashkëfshatarët, që tregojnë se është larguar për në Amerikë në vitin 1995. Sipas tyre, pas dy vitesh pësoi depresion dhe nuk shfaqte shëndet të mirë mendor. Prindërit e rikthyen në Durrës ku është e martuar një nga vajzat. Aty ndenji për 5 vite, por nuk shënoi përmirësim dhe u largua sërish tek familja në Amerikë. Familje, nga e cila aktualisht ka 3 viktima.