E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur trajneri i Uellsit ish-futbollisti Geri Spid

Geri Spid, trajneri i kombëtares së Uellsit është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në moshën 42 vjeçare. Lajmin e bëri të ditur në fillim Federata Uellsiane e Futbollit, pastaj e konfirmoi edhe policia e Çishajërit, një qytezë në veri të anglisë, ku Spid jetonte. Policia ka hedhur hipotezën e vetëvrasjes, duke qenë se nuk ka gjetur asnjë shenjë të dyshimtë në banesën e ish-futbollistit.

Spid ka luajtur më shumë se 700 ndeshje në Premier Ligë gjatë karrierës së tij ku ka veshur fanellat e Lidsit, Njukasëllit, Boltonit dhe Shefild Junajtid. Ai zhvilloi 22 sezone të plota në kategorinë superiore angleze dhe u emërua trajner I Uellsit në dhjetorin e kaluar. Spid fitoi pesë nga dhjetë ndeshjet në krye të kombëtares, tri prej këtyre fitoreve radhazi. Si futbollist ai fitoi titullin në vitin 1992, ndërsa është lojtari I dytë më me shumë prezenca në Premier Ligë, pas Dejvid Xhejmsit. Spid luajti 85 ndeshje me kombëtaren e Uellsit.

Edhe pse skuadra britanike nuk I kaloi eliminatoret e Euro 2012, tri fitoret radhazi kishin ngjallur shpresën te puna e Spidit, shpresë që mbeti për gjysmë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm një javë pasi një gjyqtar i FIFA-s në Gjermani tentoi vetëvrasjen përpara se të drejtonte ndeshjen Këln-Mainc.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›