E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari barazon 1-1 ne Vlore me Tomorin e Beratit

Paska qenë e diela e të papriturave në Superligën shqiptare. Vetëm një orë pasi Kastrioti u mposht në shtëpi nga Shkumbini, ja ku vjen edhe ndalesa e Flamurtarit, edhe kjo në shtëpi.

Vlonjatët u ndalën në barazim 1-1 nga njëri prej ekipeve që as nuk mendohet se mund ta bëjnë një gjë të tillë, pra nga Tomori i Beratit, skuadër e degdisur në fushë asnjanëse për shkak të problemeve me stadiumin.

Flamurtari nuk e pati të lehtë në pjesën e parë, por gjithsesi shënoi më në fund në minutën e 39-të kur Vilfor Hysa u tregua shumë i shpejtë në zonë duke dërguar në rrjetë një top që i erdhi në zonë.

Edhe pse nuk po luhej mirë, sërish tifozët vendas menduan se kaq e pat kjo punë dhe se fitorja do të sigurohej në pjesën e dytë.

Menjëherë sapo nisi fraksioni i dytë i lojës ata e panë se kishin qenë të gabuar, pasi Tomori barazoi. Duke shfrytëzuar një goditje dënimi ballore, beratasit fillimisht rrezikuan dhe pastaj shënuan pasi topi u largua herën e parë nga Shtupina.

Me nervozizëm të dukshëm, megjithatë, kuqezinjtë e rritën ritmin sa më shumë afrohej fundi i ndeshjes, duke iu afruar golit të paktën dy herë në minutat shtesë.

Fillimisht, Shehaj gaboi nga rreth 10-11 metra larg dhe topi kaloi shumë pranë shtyllës pingule të kuadratit të portës beratase, ndërsa më pas, Kuqi kërceu mbi të gjithë pas ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, por topi nuk iu bind dhe përfundoi mbi tra.

Një tronditje e vërtetë kjo për Flamurtarin që ka vetëm 17 pikë pas 10 javësh, duke qenë në të njëjtën kuotë pikësh me Skënderbeun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›