E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrioti- Shkumbini 0-1 krutanet ndershkohen ne shtepi

Nuk u morr vesh a ishte nënvleftësim apo mungesë fati. Ndoshta, kjo e dyta, por i kushtoi njëlloj Kastriotit në Krujë që u ndëshkua në pjesën e dytë nga Shkumbini, me një gol të shënuar nga Gjata, pas një gjuajtjeje nga largësia.

Për të gjithë ata që ishin në stadium, pjesa e parë u duk si një film surrealist, me raste të panumërta të humbura nga lojtarët vendas.
Rastet ishin radhazi, me Turdiun që gjuajti jashtë ndërsa ishte i zhvendosur majtas, me Sefën që provoi në zonë por topi iu largua, me Alikajn që gjuajti me kokë mbi tra ndërsa porta ishte e boshatisur pas gabimit të portierit Kotorri.

Më tej Kotorri ndaloi Alikajn duke mos i lejuar golin e Kastriotit, ndërsa gabimin më të rëndë e bëri Sebino Plaku që u ndodh I vetëm me portierin, por gjuajti jashtë kuadratit. Pjesa e parë u mbyll sërish me një rast të Plakut, por Kotorri u tregua edhe një herë i pakalueshëm.
U duk se e njëjta këngë do të këndohej edhe pas pushimit kur Alikaj u tregua I shkëlqyeshëm në aksionin e tij personal, por gaboi në gjuajtje. Pak minuta pas kësaj, erdhi ndëshkimi për këtë tolerancë të pabesueshme.

Gjata gjuajti nga distanca për Shkumbinin dhe topi përfundoi në rrjetën e portës së Halilajt, pasi u përplas një herë në tokë para portierit.
Natyrshëm pas gjithë kësaj erdhën edhe acarime, ndërsa një lojtar mik deshën ta ngrinin për krahësh e ta nxirrnin jashtë. Pas minutës së 70-të, vendasit nisën sërish ofensivën dhe sinjalin e dha Sefa që gjuajti, por Kotorri grushtoi.

Rasti tjetër i Sefës ishte gjithashtu i pastër, pas kombinimit me Plakun, por as ky nuk solli barazimin.

E ndërsa Kastrioti ishte hedhur përpara për të shënuar, një gabim i Xhafës thuajse i dhuroi Shkumbinit golin e dytë, por Halilaj u tregua i shpejtë, madje edhe duke u dëmtuar.

Rastet vazhduan deri në fund, por goli mbeti I vetëm dhe tifozët peqinas iu gëzuan hareshëm këtij 3-pikëshi marrë jashtë fushe që e ngjit skuadrën e tyre në kuotën e 12 pikëve, duke pasur më shumë shpresa për mbijetesë.

Në ndeshjen tjetër të orës 13:00, Pogradeci fitoi 2-1 në fushën e tij ndaj Kamzës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›