Largohet nëndrejtori i Policisë së Fierit, kalon në Berat
FIER – Sërish lëvizje në strukturat e Policisë së qarqeve në disa rrethe. Paraditen e së shtunës është kryer emërimi i nëndrejtorit të ri të Drejtorisë së Policisë në qarkun e Fierit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nën drejtori Elidon Veizaj është larguar nga ky post dhe është emëruar në të njëjtin pozicion, por në Drejtorinë e Policisë Berat. Veizaj ka zëvendësuar në Policinë e Beratit Artan Cukun, i cili është larguar nga kjo detyrë. Në vend të Veizajt, në Fier është emëruar Saimir Muca, i cili deri në ditën para emërimit të ri ka mbajtur postin e shefit të Komisariatit në Fier. Më herët Muça ka qenë shefi i Komisariatit të Policisë së Elbasanit. Ndërkohë, ende mbetet i paqartë emri që do të zëvendësojë kreun e Komisariatit të Policisë në Fier. Në fillim të janarit të këtij viti, Policia e Shtetit bëri disa lëvizje në strukturat e saj në disa rrethe të vendit.
Mungesa e gjakut në spital rrezikon jetën e pacientes 22-vjeçare
SARANDË - Një vajzë nga Saranda ka rrezikuar jetën pasi spitali nuk kishte gjak, ndërsa asnjë qytetar nuk i ishte përgjigjur apelit për të dhuruar gjak falas. Jeta e 22-vjeçares, e cila kishte grupin e gjakut 0 negativ, ka shpëtuar pasi u dërgua me helikopter në Qendrën Universitare në Tiranë. Drejtori i Shëndetit Publik se Sarandës, Arben Vogli, thotë se banka e gjakut është bosh dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak për t’i ardhur në ndihmë të sëmurëve. "Drejtoria e Spitalit Sarandë doli me një thirrje publike, me një kërkesë për dhënie gjaku nga donatorë falas për efekt të këtij operacion. Edhe sot që po flasim banka e gjakut është pothuajse zero. Sensibilizimi i opinionit ishte zero. Asnjë nuk u afrua pranë bankës së dhurimit të gjakut. I bëj thirrje të gjithë qytetarët që të afrohen pranë spitalit për të dhuruar gjak, i cili do të jetë i nevojshëm për të shpëtuar jetë njerëzish nesër”, - tha Vogli para mediave. Spitali i Sarandës prej disa ditësh nuk kryen ndërhyrje kirurgjikale për shkak të mungesës së gjakut.
19 Janar 2009