E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vrarë me sëpatë, pasi vendosi bast në Tiranë

Gjendet i vrarë me sëpatë në kokë roja i një firme në zonën e Kasharit, në autostradën Tiranë-Vorë. 

Dashamir Biçaku

Ngjarja ndodhi pasi viktima kishte vendosur një bast sportiv në Tiranë me disa miq të tij. Policia filloi hetimin për zbardhjen e vrasjes për të cilën siç duket autorët ishin kujdesur ta mbulonin si aksident. Shërbimet e policisë shoqëruan në ambientet e policisë së Kombinatit disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, që kanë dijeni mbi ngjarjen dhe rrethanat e krimit. Altin Hoxha, 36 vjeç, banues në fshatin Kashar të Tiranës, roje pranë një fabrike në këtë zonë, është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm rreth orës 05:30, në segmentin e autostradës Tiranë-Vorë, pranë një mbikalimi këmbësorësh. Ai është dalluar nga një bashkëfshatar i tij, i cili ka parë viktimën të shtrirë dhe të gjakosur pranë shkallëve të mbikalimit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit ndërsa dyshimet e para bëjnë fjalë për mundësinë që viktima të ketë mbetur i vdekur si pasojë e ndonjë aksidenti. Pas këqyrjes së trupit të pajetë dhe realizimit të autopsisë në morgun e Tiranës, është konfirmuar se vdekja e 36-vjeçarit nga Kashari, ka ardhur për shkak të goditjes së tij me sëpatë në kokë. Dyshimet e policisë në lidhje me vrasjen janë drejtuar në disa pista, si ajo e një vrasjeje për shkak të një konflikti të momentit, apo mosmarrëveshjeve të mëparshme që viktima mund të ketë pasur me persona të ndryshëm. Policia po verifikon edhe mundësinë e vrasjes me qëllime grabitjeje. Hetuesit thanë se, nuk përjashtojnë mundësinë e një krimi për motive të dobëta, por të afërmit e kanë mohuar një gjë të tillë. Të afërmit e viktimës pohuan dje për gazetën “Panorama” se, Altin Hoxha nuk kishte pasur konflikte të mëparshme me persona të ndryshëm. Së paku sipas tyre, ai asnjëherë nuk është shprehur për ndonjë konflikt apo për ndonjë mosmarrëveshje me persona të ndryshëm. Pista e dytë që po hetohet është ajo e një grabitjeje të mundshme të viktimës. Ky version është ngritur nga hetuesit e policisë së kryeqytetit, për shkak të një basti që viktima kishte vendosur me disa miq të tij, mbrëmjen e të martës në Tiranë. Dëshmitarët e këtij basti janë shoqëruar nga policia dhe janë marrë në pyetje për disa orë lidhur me këtë fakt. Sipas tyre, viktima kishte qenë me ta në kryeqytet, pasi ka pirë kafen ka vënë një bast dhe ishin kthyer në Kashar. Më pas ata kanë vazhduar të qëndrojnë në një lokal së bashku me viktimën deri vonë. Sipas të afërmve, bashkëshortja e Altinit ka folur me të rreth orës 23:00 të së martës. Pasi kishte mbyllur telefonin ata s‘kishin komunikuar më së bashku. Pikërisht nga harku kohor 23:30 e të martës deri në orën 05:30 të ditës së djeshme askush nuk ka komunikuar me viktimën. Gjatë kësaj kohe sipas të afërmve dhe policisë, dyshohet se ka ndodhur edhe vrasja e 36-vjeçarit, babai i dy fëmijëve. Dje pasdite rreth orës 17:00, të afërmit i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut të tyre, ndërsa ata ende nuk ishin të qartë se çfarë kishte ndodhur. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›