E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, dëshmojnë në polici 7 shokë të emigrantit të zhdukur

 TIRANE - VLORE - Tetë ditë pas zhdukjes së emigrantit vlonjat, policia ende nuk ka mundur të sigurojë të dhëna për gjurmët e 28- vjeçarit. Kërkimet janë përqendruar në Fier dhe Vlorë, kryesisht në rrethina, por edhe në vende të tjera të fshehura si tunele etj. Asnjë gjurmë e Riza Koçirajt nuk është gjetur megjithë kërkimet e policisë. Më shumë se shtatë persona, shokë, miq dhe të njohur të 28- vjeçarit, të cilët kanë komunikuar të fundit me të zhdukurin, janë marrë në pyetje dje nga policia e Vlorës. Por ata kanë ngritur supet pasi sipas tyre i riu nuk i'u kishte lënë të kuptonin për ndonjë problem të mundshëm të tij. Ai ka ardhur nga porti i Durrësit bashkë me kunatin e tij më 27 dhjetor. Pasi ka fjetur një natë tek shtëpia e këtij të fundit, të nesërmen ka vënë plaçkat në një makinë për t'i çuar në fshatin e tij, Vllahinë të Vlorës. Të afërmve ai i'u ka komunikuar me telefon se do të vonohej pasi do të pinte disa kafe në qytetin e Vlorës me miq të tij. Por me pas, gjatë gjithë ditës telefoni i tij ishte i fikur. Pas denoncimit të kryer nga të afërmit e tij, policia ka nisur kërkimet, por ndonëse u bënë tetë ditë nga zhdukja, asnjë informacion apo e dhënë e saktë nuk ka rezultuar. Mësohet se i riu ka mbajtur vetëm pasaportën e tij me vete, ndërsa me plaçkat që ka nisur në fshatin e tij kishte edhe patentën, kartën e identitetit etj. Ai nuk kishte të drejtë të kthehej në shtetin italian pasi nuk kishte mundur dot që gjatë katër viteve të qëndrimit të siguronte dokumente. Por blutë nuk përjashtojnë pistën që Koçiraj të jetë larguar ilegalisht sërish drejt këtij shteti. Gjithashtu, një pistë tjetër hetimi është edhe fakti se 28- vjeçari mund të jetë larguar nëpërmjet malit drejt Greqisë, pasi në këtë vend ai kishte pjesën më të madhe të familjarëve të tij. Blutë nuk përjashtojnë as pistën e ndonjë vrasje të mundshme, megjithatë, sipas tyre kjo është një çështje mjaft delikate dhe nuk mund të flitet zyrtarisht për asnjërën prej dyshimeve. Vëllezërit e të zhdukurit kanë shpërndarë fotot e tij në mjaft linja të urbanëve e furgonëve të rretheve në mënyrë që të mund të sigurojnë informacion nëse ndokush do ta shohë. Ndërkohë në Tiranë vazhdojnë të mbeten mister rrethanat e zhdukjes së biznesmenit Arjan Bulku, pronar i një lokali të vogël tek "Qyteti i Nxënësit" në Tiranë. Policia nuk ka arritur të zbulojë asgjë të re rreth vendndodhjes së tij.                                             q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›