Korçë, emigrantët në protestë për vonesat e pasaportave
KORçE - Vonesat në dhënien e pasaportave biometrike po bëhen shkak i kthimit në kufi të emigrantëve. Kjo i ka çuar këta të fundit në një protestë dje në afërsi të komisariatit të Korçës. Pas festave të fundvitit, ata kanë filluar të rikthehen në vendet e tyre të punës, por një pjesë e tyre janë kthyer prapa në doganën e Kapshticës nga pala greke. Kjo ndodh sepse emigrantët nuk pranohen të hyjnë më në shtetin fqinj me pasaportat e vjetra. Ndonëse kanë aplikuar për pasaportat e reja biometrike, ata ende nuk kanë arritur ta marrin këtë dokument. Jo vetëm ditët e pushimit të festave, por edhe fillimi i javës i ka gjetur emigrantët në radhë para komisariatit. Dje qindra vetë kanë pritur që në orët e para të mëngjesit shpërndarjen e pasaportave biometrike, me synim për t'u pajisur me to dhe të rikthehen sa më shpejt në vendet e tyre të punës në Greqi dhe Itali. Shumë prej emigrantëve ishin mjaft të interesuar për paisjen me pasaporta dhe kthimin sa më të shpejt në vendet ku emigrojnë për shkak se kanë fëmijët në shkollë atje. Të irrituar nga vonesat, një grup emigrantësh protestuan paraditen e djeshme në afërsi të komisariatit të Korcës. Duke humbur durimin nga pritja disa orëshe, ata bllokuan qarkullimin e mjeteve. "Jemi në radhë që në orët e para të mëngjesit, në këtë të ftohtë. Vetëm një sportel nuk mund të përballojë fluksin e të interesuarve për tu pajisur me këtë dokument identifikimi. Jemi te shqetësuar sepse në rast se nuk kthehemi në kohë në Greqi fëmijët rrezikojnë të humbasin disa ditë në shkollë, ndërsa ne humbasim ditët e punës atje", u shprehën disa emigrantë. g.a