Apeli lë në arrest me burg Ilir Kumbaron
Ilir Kumbaro, ish-oficeri i lartë i SHIK-ut, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës në vitin 1995, humbi dje dy "beteja" në Shkallën e Parë dhe në Apelin për Krimet e Rënda. Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e datës 15 dhjetor 09 të Shkallës së Parë, vendim që ricaktoi masën e "arrestit më burg" për të pandehurin Kumbaro. Ndërsa në procesin e ish-agjentëve të SHIK-ut në Shkallën e Parë, palët u njohën dje me vendimin e 29 dhjetorit 09 Krimeve të Rënda që rrëzonte kërkesën e mbrojtësve të Ilir Kumbaros për përjashtim të trupës gjykuese. Në këtë mënyrë trupa gjykuese në këtë procesin me të pandehur tre ish funksionarë të Shërbimit Sekret do të jetë e pandryshuar. "Gjykata për Krimet e Rënda në 29 dhjetor 2009 ka shqyrtuar kërkesën e avokatëve të Kumbaros për përjashtimin e trupës gjykuese dhe ka vendosur rrëzimin e saj", relatori dje para palëve kryesuesi i seancës, gjyqtari Xhelal Elezi. Pak orë më pas një pesëshe e gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda vendosi rrëzimin e kërkesës së Kumbaros kundër rivendosjes së "arrestit me burg" ndaj tij në shkallën e parë. Kjo masë u ricaktua për të në 15 dhjetor 2009, në mbështetje të kërkesës së prokurorit të çështjes. Vendimi i Krimeve të Rënda u shpall në një kohë që në ditët e para të dhjetorit 2009, Gjykata e Lartë kishte shuar masën e sigurisë "arrest me burg" e vendosur në vitin 2003 për Kumbaron. Burime të rezervuara bënë të ditur se mbrojtësit e Kumbaros mund t'i drejtohen sërish Gjykatës së Lartë për vendimin e djeshëm të Apelit për Krimet e Rënda. Aktualisht Ilir Kumbaro ndodhet në gjendje të lire në Angli. Në seancën e djeshme në ngarkim të Ilir Kumbaros, Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit përfaqësuesi i akuzës, prokurori Xhevat Hana depozitoi në Gjykatë pyetjet e akuzës për dy dëshmitarët Riza Shehu dhe Eduart çoku, të cilët aktualisht ndodhen në Itali. Më parë prokurori tha para gjykatës se nga organi i akuzës ka konfirmuar zyrtarisht vendqëndrimet e tyre në Itali. Dje prokurori kërkoi nga gjykata të shkonte në Holandë për të marrë në pyetje Avdyl Loshajn, dëshmitarin "kyç" të procesit në Holandë, ku dëshmitari ndodhet aktualisht. Prokurori e argumentoi kërkesën me rëndësinë që ka për procesin pyetja e Loshajt, dëshirën e tij për t'iu përgjigjur gjykatës, por jo në Shqipëri, për shkak të pretendimeve të tij se mund t'i rrezikohet jeta. Disa seanca më parë Gjykata ka vendosur pyetjen e Loshajt me anë të letërporosive, për shkak të pamundësisë teknike për të realizuar një video-konferencë. Gjykata do të shprehet për kërkesën në seancën e ardhshme. ar.ba