"Pasaportat s’pengojnë emigrantët"
Etleva DeliaMinistria e Brend-shme deklaroi dje se pasaportat e vjetra dalin nga sistemi në momentin e prodhimit të dokumentit të ri biometrik.Sipas dikasterit të brendshëm, ata persona që kanë aplikuar për pasaportën e re, mund të lëvizin në kufi pa pengesa deri në momentin e prodhimit të dokumentit të ri biometrik për të cilin kanë aplikuar. Ky afat është dy javë. Brenda këtij afati duhet të tërhiqet pasaporta e re, e cila në momentin që stampohet dhe kalon në sportelet e shpërndarjes, regjistrohet në sistem duke fshirë dokumentin e vjetër. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Fatmir Konja, tha dje se të gjithë aplikuesit për pasaportë biometrike që u është prodhuar pasaporta, duhet ta tërheqin atë menjëherë. Sipas zëdhënësit, pasaportat e reja, sapo prodhohen regjistrohen në sistem duke nxjerrë kështu të pavlefshme pasaportën e mëparshme që ka pasur personi që ka aplikuar. Sipas burimeve zyrtare, asnjë prej atyre emigrantëve që kanë aplikuar pas datës 26 dhjetor 2009, nuk ndalohet deri në datën 10 janar 2010 në asnjë pikë kalimi kufitar, për faktin se vetëm sa ka aplikuar por nuk e ka marrë apo nuk i është prodhuar pasaporta e re. Ministria e Brendshme risolli në vëmendjen e qytetarëve rëndësinë e pajisjes me pasaporta biometrike si një kriter i nevojshëm për liberalizimin e vizave në mes të këtij viti, ashtu siç është premtuar nga qeveria. "Falë edhe mbështetjes së plotë të opinionit publik dhe faktit se të gjithë qytetarët, e veçanërisht emigrantët, janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pajisjes me pasaporta biometrike për të përfituar liberalizimin e vizave në mesin e këtij viti, ashtu siç edhe ka premtuar qeveria shqiptare", u shpreh Ministria e Brendshme.Aplikimet Kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit në ditët e fundit të muajit dhjetor 2009, sipas Ministrisë, ka rritur dukshëm ritmin e aplikimeve për pasaporta biometrike. Niveli i aplikimeve sipas burimeve zyrtare, kalon kapacitetin maksimal prodhues të ofruar nga kompania "Aleat". Ministria e Brendshme në deklaratë për shtyp ka sqaruar dje se gjatë muajit dhjetor aplikimi për pasaportat ka qenë nga 2 deri në 4 herë më i lartë se gjatë muajve të tjerë të vitit. "Viti 2009 është mbyllur me shifrën 389 mijë aplikime për pasaporta biometrike, duke kaluar parashikimet e kompanisë prodhuese", tha dikasteri i Brendshëm. Sipas ministrisë, numri më i madh i aplikimeve është shënuar nga emigrantët që janë kthyer pranë familjeve gjatë festave të fundvitit. Duke parë fluksin e madh të personave që kërkonin të pajiseshin me dokumentin e ri të identifikimit kompania "Aleat" në bazë të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, aplikoi orare të zgjatura shërbimi, madje duke shërbyer edhe në ditët e pushimit, nënvizoi më tej zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Ai tha se në disa raste u shtuan edhe stacionet e punës për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve.