Overdoza, gjendet i vdekur një 33-vjeçar
Një 33-vjeçar është gjetur i vdekur pasditen e djeshme pranë liqenit në Tiranë. Fillimisht policia e ka pasur të vështirë identifikimin e tij, pasi ai nuk kishte dokumente me vete, por më vonë është zbuluar se ai është Rigor Gorea. Madje, policia dyshon se para vdekjes ai ka kryer marrëdhënie seksuale me një femër, e cila është larguar e tmerruar, pasi i riu ka vdekur. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se pasditen e djeshme banorët e zonës, pas rrethimit të kompleksit të pishinave në afërsi të Liqenit Artificial, kanë parë një person të shtrirë që nuk jepte shenja jete. Menjëherë kanë njoftuar policinë dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr. 2 dhe mjekët e urgjencës. Aty është vërtetuar se personi i gjetur kishte ndërruar jetë. Duke marrë shkas nga kjo, në vendin e ngjarjes është formuar një grup hetimor për zbardhur shkaqet e vdekjes. Burimet policore shpjeguan se nga të dhënat e para rezulton se ai ka ndërruar jetë nga përdorimi i tepërt i drogës. Madje, në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe shiringa. Por, ekspertët e mjekësisë ligjore kanë zbuluar edhe njolla sperme, si dhe disa gjurmë të tjera, që kanë çuar në dyshime se i ndjeri ka qenë bashkë me një femër dhe që aty mund të jenë kryer marrëdhënie seksuale. Gjatë këtij akti, specialistët mendojnë se ka ndodhur ndonjë atak ndaj 33-vjeçarit, që i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Ndërsa për vajzën, policia tha se po punon për identifikimin dhe gjetjen e saj.
Ble. Gi.
Ble. Gi.