E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet në Bruksel pas katër vitesh humbje Kujtim Jaupi



Prej gati katër vitesh kanë bashkëjetuar me dhimbjen, me hallet e shumta familjare e me pasigurinë për jetën e djalit të tyre. Në vitin 2004, Kujtim Jaupi, nga qyteti i Vlorës, humbi çdo lloj kontakti me familjen, pa u dhënë asnjë shpjegim, asnjë arsye apo letër lamtumire...
Historia
Në vitin 1990 Kujtim Jaupi u largua me eksodin e madh të emigrantëve jashtë Shqipërisë. Vendqëndrimi i tij ishte qyteti i Brukselit në Belgjikë. Tre vite më mbrapa, ai u martua me një shtetase italiane. Gjatë kësaj kohe Kujtimi kontaktonte rregullisht me familjen. Së bashku me bashkëshorten e tij, djali vjonjat kishte hapur një lokal pranë stacionit të trenit ne Bruksel. Në vitin 2002 ata vijnë në Shqipëri. Pas gjashtë muajsh gruaja e Kujtimit niset sërish për në Belgjikë ndërsa ai qëndroi edhe 2 vite të tjera në pritje të dokumenteve belge. Sapo u pajis me letra ai u nis përsëri për në Bruksel. Ishte pikërisht viti 2004 kur ai la tokën shqiptare për të mos u rikthyer më. Që nga ajo kohë, Kujtimi shkëputi kontaktet me familjen në mënyrë krejt të papritur dhe të çuditshme. Të paktën familjarët nuk ishin mësuar kurrë që kjo gjë të ndodhte dhe moskontaktimi mes tyre u ra si një “bombë”. Ata nuk ishin të sigurt për atë çfarë mund t’i kishte ndodhur djalit të tyre, nuk kishin një adresë shtëpie, numër telefoni apo vend pune në mënyrë që të nisnin kërkimet për të. Në këtë mënyrë shpresa e fundit e familjes Jaupi ishte emisioni “Njerëz të humbur”.
Kërkimi dhe gjetja në “Njerëz të humbur”
Vitet e fundit familjes Jaupi iu desh të përballonte shumë halle. Si të mos mjaftonte humbja e Kujtimit, nëna dhe babai i tij po lëngonin në shtrat të sëmurë. Gjendja e mamasë së 41-vjeçarit u përkeqësua së tepërmi dhe të afërmit e nisën atë urgjentisht për kurim në Itali. Babai i paralizuar në shtëpi numëronte ditët që kalonin një e nga një, me brengë në zemër se kur do të ribashkohej familja e tij. Rasti i publikuar në emisionin e Aida Shtinos ngjalli një interes dhe dhembshuri të madhe tek shumë emigrantë shqiptarë nga Belgjika. Shkëndija e parë e jetës erdhi nga një person në shtetin belg i cili pohonte se Kujtimi është gjallë e shëndosh e mirë në një provincë të Brukselit. Pas shumë përpjekjesh ai i kishte dërguar një letër duke i shpjeguar gjithë situatën e fundit që po ndodhte në “Njerëz të humbur”. Mes të tjerash ai i shkruante se “...nëna jote po jeton momentet e fundit të jetës. Kujtim të lutem bëhu i gjallë”. Informacione të tjera pasuan për fatin e djalit vlonjat deri në momentin e shumëpritur kur gazetarëve u ra në dorë numri personal i Kujtimit. Në mungesë të prindërve në studion e “Njerëz të humbur”, vendin e tyre e kishin zënë tezja dhe daja i Kujtimit të cilët bënë apelin e tyre për këtë të fundit dhe për shqiptarët që dinin diçka për vendndodhjen e tij. Nuk do të zgjaste shumë dhe nga ana tjetër e telefonit u dëgjua zëri i 41-vjeçarit i cili i dha fund barrës së rëndë të familjes Jaupi. Mësohet se ai kishte pasur shumë probleme pasi kishte qenë edhe në burg dhe kjo ia kishte ngushtuar akoma më shumë rrethin e veprimit në mënyrë që të kontaktonte me familjen. Zëri i tij ishte një provë se ai ishte shëndosh e mirë dhe se shpejt do të mundohej të vinte personalisht në Shqipëri. Të gjithë kanë një ditë lindje dhe një tjetër kur i japin lamtumirë kësaj bote. Ajo çfarë askush nuk do e dëshironte është që të mos lerë ndonjë peng nga mbrapa. Gjetja e Kujtim Jaupit u ka dhënë një shans të dytë prindërve të tij për të zgjatur edhe më ditët e jetës e për t’u çmallur me djalin e tyre i cili për ta duket sikur ka lindur për së dyti....

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›