E Diel, 1 Nëntor 2026

Për 36 vite nënë e bir kërkonin njëri-tjetrin, “Njerëz të humbur” i bashkoi



Kur dy jetë ndahen nga njëra-tjetra asnjëherë nuk dihet drejtimi që merr secila prej tyre. Shtigje të reja zgjatojnë rrugë të ndryshme, që shpeshherë nuk lidhen, por që ndonjëherë edhe kryqëzohen dikur, diku. Nën ngjyrat e këtij sfondi të jetës shkrihen motivet bardh e zi që dashur pa dashur lënë një gjurmë edhe pse të zbehtë. Historitë e fëmijëve të sapolindur janë pak a shumë të gjitha njësoj... sepse ata kanë një fytyrë, kanë një trup, të gjithë qajnë njësoj kur vijnë në jetë e po ashtu qajnë kur fati i bashkon nen një emër të vetëm: jetim. Emisioni “Njerëz të humbur” në Vizion plus, që transmetohet direkt çdo mbrëmje të shtune ka përcjellë vazhdimisht histori të tilla të pagëzuara me emrin “Ironi fati”, sepse shpesh fati luan me jetën e njerëzve në një mënyrë që askush nuk mund ta parashikojë. Mes historive të ironisë së fatit që ky emision trajtoi mbrëmjen e së shtunës ishte edhe ajo e një djali tiranas, të quajtur Kujtim Allkurti. Kujtimi erdhi në jetë më 17 tetor të vitit 1972 në Maternitetin e Tiranës. Nuk dihet si ndodhi dhe perse ai u la i vetëm në këtë godinë të madhe mes shume fëmijësh të tjerë por një gjë dihet me siguri që nëna e braktisi në këtë institucion kaq fatkeq për të. Kujtimi nuk e dinte se çfarë e priste më pas... sepse duar të tjera filluan te kujdeseshin për të, duar që nuk i njihte, por që e përkëdhelnin me dashuri. Pasi u dërgua në institucionin e fëmijëve të braktisur në moshën 2 –vjeçare ai pati mundësinë të kishte një familje. Dy prindër nga qyteti i Tiranës vendosën ta birësonin kur dalluan mes shumë fëmijëve të tjerë buzëqeshjen e pandalur të Kujtimit. Vitet kalonin e Kujtimi rritej nën dashurinë dhe përkushtimin e dy prindërve të devotshëm që nuk e linin vetëm asnjë çast. Pasi arriti moshën e pjekurisë Kujtimi filloi ti shihte gjerat dhe njerëzit ndryshe dhe shume pyetje i lindin në mend. Kështu ai mësoi të vërtetën që nuk ishin prindërit e tij biologjik ata që me aq shumë mund e përkëdhelje e kishin rritur, por dy njerëz të tjerë. Kujtimi vendosi të kërkojë nënë e tij në “Njerëz të humbur” pas shumë vështirësive për të marr një përgjigje për vendndodhjen dhe ekzistencën e saj në institucionet shtetërore. E shtuna mbrëma dukej shumë e gjatë për Kujtimin i cili priste me ankth ndonjë lajm për nënën e tij që me aq shume dashuri priste t’ia dëgjonte zërin. Kërkimet e “Njerëz të humbur” u ndalën në shumë institucione shtetërore të cilat dhanë shumë pak informacione për nënën biologjike të tij. Informacionet e shumta nga qytetarët e Tiranës flisnin për një zonjë me emrin Vjollca, e cila kishte banuar para disa vitesh në Tiranë. Në mënyrë të papritur nga ditët e fundit të javës që sapo kaloi, në shkallët e Vizion Plus u shfaq një zonjë me tipare bionde, e cila kërkonte djalin e saj. Pas një bisede me gazetarët e “Njerëz të humbur” ajo tha se kërkonte djalin të cilin e kishte braktisur foshnjë dhe se një zonjë me emrin e saj kërkohej në këtë emision. Të gjithë u emocionuam kur u mësua se kjo zonjë ishte nëna biologjike e Kujtimit. Ky i fundit nuk dinte asgjë deri në momentin e fundit kur iu bë surpriza e madhe, teksa nëna e tij hyri përmes tunelit të “Njerëz të humbur” dhe pushtoi me mall Kujtimin, i cili u shokua nga ky takim i papritur, por aq shumë i dëshiruar prej tij. Nënë e bir nuk folën, vetëm u pushtuan për të shuar mallin e viteve aq të gjata pa njëri-tjetrin. Fati i kishte ndarë në mënyrë të padrejte por i bashkoi sërish pas 35 vitesh. Të gjithë lotuan dhe u emocionuan së tepërmi kur panë nënën të ngashërehej nga malli për djalin të cilin e kishte lënë foshnje. Nëna e Kujtimit, Vjollca tha vetëm dy fjalë se e kishte lënë të birin jo përgjithmonë por kur kishte shkuar ta merrte mësoi që atë ia kishin marrë përgjithmonë nga krahët e saj. Por tani ata do ndajnë bashkë vite, orë e momente të lumtura.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›