E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet në gropë të gëlqeres trupi i një të riu

Kufoma e një burri është gjetur gjatë orëve të pasdites së djeshme në qytetin e Bilishtit. Trupi i pajetë u shqua nga kalimtarë të rastit në një gropë gëlqereje, pranë një blloku pallatesh në ndërtim, në hyrje të qytetit të vogël. Ka qenë ora 17:00 e së hënës, kur policia është sinjalizuar për gjetjen e një kufome që i përket një të riu. Policia, e cila ka shkuar në vendngjarje, ka raportuar se trupi ka pasur dëmtime të shumta. Edhe pse fillimisht është dyshuar për një vrasje të mundshme, nga ana e ekspertëve është përcaktuar se viktima mund të ketë rënë aksidentalisht në gropën e hapur, ndërsa ka qenë duke kaluar në rrugë. Kufoma i përket një të riu në moshën rreth 30 vjeç. Për shkak se trupi i pajetë është nxjerrë nga gropa pak orë pas gjetjes së tij, identifikimi ka qenë disi i vështirë, ndërkohë që mendohet se ai ka rënë në gropë aksidentalisht disa orë më parë, pa mundur të shpëtojë. Policia ka dyshuar që në fillim se bëhej fjalë për një 30-vjeçar nga qyteti i Bilishtit, i cili ishte larguar një ditë më parë nga banesa dhe e kishte kaluar natën jashtë. Për të bërë identifikimin janë njoftuar familjarë të personit të larguar nga banesa, të cilët kanë vërtetuar dyshimin e policisë dhe kanë vërtetuar se kufoma i përkiste 30-vjeçarit Petrika Ballamari. Sipas policisë, mendohet se viktima mund të ketë qenë në gjendje të dehur kur ka rënë në gropën e gëlqeres dhe nuk ka mundur të dalë që andej. Nga këqyrja e kufomës, policia ka hedhur poshtë dyshimet fillestare për vrasje, edhe pse në trup janë konstatuar dëmtime të shumta të shkaktuara nga gërryerja prej gëlqeres. Nxjerrja e trupit të pajetë ka qenë e vështirë, për shkak të terrenit dhe errësirës, gjë që bëri të pamundur identifikimin e menjëhershëm. Viktima është dërguar në morgun e qytetit të Korçës, ku pritet të kryhet ekspertiza mjekoligjore, që do të përcaktojë edhe zyrtarisht shkakun e vdekjes.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›