E Diel, 1 Nëntor 2026

Muça: Lidhjet e mia me grupin e Dritan Dajtit

Marenglen Muça, oficeri i policisë që mbante lidhje me grupin e Dritan Dajtit u rrëfye për herë të parë për gazetën "Shqip", më 19 gusht të këtij viti, vetëm disa ditë pas vrasjes së katër policëve specialë në zonën ku ai kishte për detyrë të ruante rendin dhe sigurinë e njerëzve. Inspektori i krimit të vjedhjes në zonën e plazhit të Durrësit tregoi për gazetën "Shqip" marrëdhënien me kunatin e vrasësit të policëve, Dritan Dajti. Si u njoh me të? Për çfarë folën disa ditë para masakrës së Durrësit? Çfarë e lidhte me të riun që drejtonte makinën ku gjendej i shumëkërkuari Dajti në datën 7 gusht? Si po i përjetonte ai komentet pa emër në adresë të tij, të mediave të shkruara dhe vizive?

Si e njoha 4 vjet më parë Ergestin
"Njihem me të prej disa vitesh, nëpërmjet një shoku të shkollës, qëkur kam mbaruar shkollën si laborant dentar në Sarandë. Thjesht njiheshim. Jemi njohur rreth katër vjet më parë, atëherë kur nuk punoja në Policinë e Shtetit. Asgjë më shumë. A është fati im i keq që i kam dhënë të dy numrat e telefonit dikujt që nuk e dija se çfarë lidhjesh kishte me Dajtin, a këdo qoftë? Kjo mund t‘i ndodhë kujtdo. Shpesh kur nuk kam kredit në numrin ‘Vodafone Club‘, përdor atë të punës me 41. Kështu ka ndodhur edhe me Gestin. Na prezantoi vite më parë një shoku im. Së fundmi, ai donte të blinte motorin tim dhe folëm 3-4 ditë para ngjarjes së plazhit. I thashë se i kisha hequr karburatorin, por u sqaruam dhe ai e mori për ta provuar, e më pas do të vendoste nëse do ta blinte apo jo. Asnjë mesazh nuk kam shkëmbyer me të atë ditë që ndodhi tragjedia. Unë shkova në vendngjarje i shokuar për humbjen e kolegëve. Isha atje atë ditë".

Takimi i fundit me kunatin e Dajtit
Më 19 gusht, Muça tha se u trondit kur mësoi se njeriu që njihte prej afro katër vitesh ishte kaq i afërt me shumë të kërkuarin e policisë, Dritan Dajtin, dhe telefonatat mes tyre e kthyen atë në një personazh enigmatik, madje të errët në radhët e policisë. Sipas tij, nuk kishte asgjë për të fshehur dhe tabulatet telefonike janë dëshmia për bisedat mes tij dhe Gestit (Ergest Xhaxhi). Një sms e dërguar drejt numrit të Ergestit rreth 20 minuta para masakrës, mohohet të jetë bërë prej tij. Biseda e fundit me të ka qenë 3-4 ditë para 7 gushtit të zi të këtij viti dhe kishte në qendër të saj punën e një motori të cilin Ergesti kishte kërkuar t‘ia blinte oficerit të policisë. Madje janë takuar dhe ai ia ka marrë për ta provuar e më tej ndodhi ngjarja që e shokoi, ndërsa humbja e motorit nuk llogaritet në një situatë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›