E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendja e sigurisë në Kosovë, e qëndrueshme

Këshilli i Sigurisë së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, në takimin e tretë të radhës e ka vlerësuar të qëndrueshme gjendjen e sigurisë së përgjithshme në vend.
"Institucionet dhe organet e sigurisë në vend janë duke i kryer detyrat e tyre në nivel të lartë dhe ka një bashkëpunim të mirë midis Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në fushën e rendit", ka deklaruar kryeministri kosovar Thaçi. Sipas vlerësimeve, situata e përgjithshme është e qetë dhe ka një progres në menaxhimin e kufijve dhe të doganave. Gjithashtu, u konstatua se ka një rënie të veprave kriminale dhe të rasteve të dhunës ndëretnike. Ndër të tjera, në këtë takim është përshëndetur edhe kthimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe në qendrat e paraburgimit. Ndërkaq, Këshilli i Sigurisë ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të punojë për zbardhjen e vrasjes së dy banorëve serbë të Parteshit në Gjilan. Është kërkuar që ky rast mos të politizohet dhe të priten rezultatet e hetimeve. Në takim, Këshilli i Sigurisë ka dhënë mbështetje për finalizimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë dhe Strategjisë për Forcën e Sigurisë. Po ashtu, i është dhënë mbështetje Projektligjit për Klasifikimin e Informatave, i cili pas miratimit nga qeveria do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›