E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendja ekonomike, ekspertët e huaj rrëzojnë parashikimet optimiste të qeverisë

Kompania D&B publikon nivelin e riskut të ekonomisë shqiptare
Albert Gjoka

Pikërisht në momentin kur qeveria shqiptare pritet të kërkojë edhe një tjetër kredi të madhe në shumën 300 milionë euro, vijnë parashikime jo optimiste nga ekspertët e agjencive më të mira të rejtingut në botë. Kompania e njohur britanike “D&B publikoi ekspertizën e vet për Shqipërinë në raportin e muajit janar, e cila e mban në të njëjtin nivel të riskut. Specialistët e saj konstatojnë se planet ekonomike të qeverisë shqiptare për vitin 2010 janë të bazuara në supozime tepër optimiste, siç është rritja ekonomike 6 përqind. Sipas tyre, parametrat e ekonomisë vendase dhe niveli i të ardhurave gjatë vitit të kaluar, por edhe presionet në vazhdim të krizës financiare mbi ekonomitë e rajonit, janë argumente të cilat flasin për optimizëm të pamotivuar. Mbi të gjitha, shqetësimi kryesor është rritja e deficitit buxhetor.

Raporti i Janarit

Kompania D&B publikoi pak ditë më parë raportin e radhës për rejtingun e ekonomisë së Shqipërisë, i cili sipas saj, nuk pësoji ndryshime, duke ngelur në grupin DB4a, në të njëjtin nivel me Bulgarinë, Columbinë, Letoninë, Rumaninë dhe Urugajin.
Agjencia e rejtingut thotë në raportin e publikuar për janarin e vitit 2010 se “Parlamenti i Shqipërisë në fund të nëntorit 2009 miratoi buxhetin e vitit 2010, i cili është bazuar në një deficit të parashikuar prej 3,8% të PBB-së. Shpenzimeve do të rriten me 2, 0%, në shumën prej 411miliardë lekë nga buxheti i vitit 2009. “Megjithatë, ne besojmë se këto plane janë të bazuara në supozime tepër optimiste”, - thonë ekspertët e D&B. Më tej theksohet se; “Në veçanti, parashikimi i qeverisë se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 6,0-6,5 përkundër parashikimit tonë prej 1.5% dhe FMN-së 3,0%”. “Për më tepër, Shqipëria nuk ka një rekord të mirë përpara në respektimin e objektivave, duke parë që deficiti tejkalon parashikimet e saj”, - thuhet në raportin për rejtingun e vendit tonë. Shifrat për nëntë muajt e parë të vitit 2009 tregojnë se shpenzimet arrijnë deri 22,0% më te larta së viti paraardhës, në krahasim me të ardhurat që ishin vetëm 6% më të larta. Ekspertët e agjencisë britanike parashikojnë se, “ndonëse deficiti publik, ndoshta, do të jetë më e keq sesa e parashikon qeveria, situata e përgjithshme është relativisht e shëndoshë, në krahasim me shumë vende të tjera, dhe kjo ndodh, pjesërisht falë politikës ekspansioniste fiskale”.

Rritja për vitin 2010
Sipas tyre, “ekonomia shqiptare ka gjasa të rritet me rreth 2,0% në vitin 2009”. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka parashikuar se në rajonin e Evropës Juglindore, si tërësi, do të ketë një ulje me 6% gjatë periudhës së njëjtë.
“Ne besojmë se ekonomia është ende e ngadalësuar dhe do të mbetet poshtë pritjeve të qeverisë përgjatë vitit 2010”, - thonë ekspertët e D&B. Më tej thuhet: “Ne presim që këto rreziqe të jenë të manaxhueshme dhe se ngadalësimin ekonomik global Shqipëria do ta përballojë më mirë sesa shumë vendet tjera, por jo pa rishikimin dhe ri-planifikimin e bilancit”.

Aspekti politik
Agjencia britanike, në vlerësimin e saj, liston edhe panoramën politike të vendit tonë, ku vlerësohet si pozitive pranimi i ftesës për statusin e vendit kandidat, ndërsa, aspekt negativ, përjashtimin e saj nga procesi i heqjes së vizave në zonën Shengen.
Sipas saj, viti 2009 për Shqipërinë, në ambicien e saj të politikës së jashtme për pranimin në Bashkimin Europian solli lajme të mira dhe jo shumë të mira. “BE ra dakord për të diskutuar nëse Shqipëria duhet të bëhet një vend kandidat zyrtar, por ndonëse kjo është arritur tashmë, qëllimi përfundimtar është ende disa vite larg materializimit”, - thotë raporti i “D&B”. Megjithatë, kërkesa e Shqipërisë për t'u bashkuar me zonën Shengen, e cila do të lejonte qytetarët të udhëtonin lirshëm në shumicën e vendeve të BE-së, u refuzua, ndërsa Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia u pranuan. Vetëm pak kohë para zgjedhjeve të 28 qershorit, D&B publikoi raportin për nivelin e riskut, ku bënë parashikimet e tyre, të cilat përkuan me statistikat që dhanë FMN dhe Banka Botërore.
Një tjetër agjenci e njohur botërore, “Fitchi” publikoi nivelin e riskut për Shqipërinë në muajin dhjetor.

PROFIL
Kush është D&B

Dun & Bradstreet (D&B) është ndër agjencitë më të madh të dhe më të vjetra të informacionit tregtar dhe të biznesit në botë, e cila është themeluar 170 vjet më parë. Vlerësimet e saj njihen për cilësinë, shpejtësinë, efektivitetin dhe ndihmojnë në reduktimin e riskut në biznes. Në mënyrë elektronike, përmes internetit, aktualisht ofron 170 milionë raporte nga e gjithë bota. Kjo kompani ka degën e saj në Slloveni, “Bonitetna hiša I, d.o.o”, e cila mbulon mbledhjen e të dhënave dhe përgatitjen e raporteve edhe për Shqipërinë. “Bonitetna hiša I, d.o.o” është krijuar në vitin 1990 dhe prej vitit 2006 mbulon edhe interesat e D&B-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

16 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›