E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e fabrikës: “Albademil” nuk na ka dëmshpërblyer

Po gjatë ditës së djeshme, në të njëjtën orë, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë vazhdonte procesi ndaj të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Gjatë seancës së djeshme, të tjerë ish-punëtorë të fabrikës së demontimit dëshmuan para gjykatësve.
Dy të dëmtuar që kanë marrë plagë të rënda rrëfyen minutat tragjike të shpërthimit, ndërsa deklaruan se nuk marrin nga shteti asnjë ndihmë mjekësore, por vazhdojnë sot e kësaj dite kurimin me shpenzimet e tyre. Dëshmitarët e radhës, përveç detajeve që dhanë për punën në fabrikë dhe ditën e ngjarjes, akuzuan firmën “Albademil” se nuk u ka dhënë asnjë dëmshpërblim për atë që u shkaktoi. Por, ka reaguar pas këtyre dëshmive administratori Dritan Minxolli, i cili është shprehur se fondet e firmës që ai menaxhonte janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë. Në momentin e parë të çlirimit të këtyre fondeve në banka, në cilësinë e administratorit, do të bëjë edhe dëmshpërblimin e tyre. Më pas, Minxolli, për herë të parë reagoi edhe ndaj administratorit tjetër të firmës, amerikanit Patrik Henri, duke deklaruar se përgjegjësia nuk ndahet në mënyrë të drejtë, ndërsa njeri prej administratorëve ndodhet në burg, ndërsa tjetri nuk është ftuar as si dëshmitar në listën e akuzës.
Dëshmitarja Adelina Cani filloi e para rrëfimin e saj për ditët në fabrikë dhe humbjen e vjehrrit Qemal dhe vjehrrës Korre Deliu. Gjatë dëshmisë së saj ajo i tha gjykatës së në punë kanë qenë pa kontratë. Më tej ajo ripohoi njëlloj si ish-punëtorët e tjerë se në fabrikë ka rënë zjarr dhe herë të tjera. Dëshmitare të radhës kanë qenë edhe dy motra binjake, të cilat më 15 mars 2008 i kanë shpëtuar tragjedisë. Atë ditë motrat binjake nuk kanë qenë të pranishme në punë, pasi punonin në sektorin e demontimit të fishekëve dhe për pasojë e kishin bërë pushim. Floriana dhe Florinda Murati janë dy motrat që shpjeguan me pak fjalë mënyrën se si u punësuan nga Dritan Minxolli. Më pas seanca ka vijuar deri në mesditë për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve. Në fund palët kanë rënë dakord që ditën e hënë, procesi të riniste sërish me dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria.

Prokuroria: Përgjigjja për kërkesën e familjarëve, jo e përcaktuar me afat”

Organi i akuzës ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me kërkesën e familjarëve të viktimave të Gërdecit. Burime jozyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se për këtë kërkesë nuk ka asnjë afat paraprak për kthimin e një përgjigje. “Bëhet fjalë për një kërkesë për nisjen e procedimit penal, dhe jo për një padi dhe si e tillë. Kjo kërkesë nuk përfshihet në asnjë afat të miratuar nga ana e kryeprokurores për kthimin e një përgjigje”, – thonë të njëjtat burime.
Lidhur me punën e grupit hetimor, bëhet e ditur se deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete për nisjen e procedimit penal në ngarkim të Fatmir Mediut. “Prokuroria është ende duke punuar për kërkesën e familjarëve të viktimave të shpërthimit të ndodhur në Gërdec, por deri tani nuk ka asgjë konkrete, e cila mund t’u bëhet e ditur familjarëve. Në momentin e parë që do merret një vendim, Prokuroria e Përgjithshme do të njoftojë me shkresë zyrtare depozituesit e kërkesës për procedimin e Fatmir Mediut”, - mbyllin deklaratën burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

16 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›