Përmbytjet nisin të normalizohen, ndërpriten shkarkimet edhe në Vaun e Dejës
Ervin KOÇI
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka njoftuar dje ndërprerjen e shkarkimeve në të gjithë kaskadën e Drinit, duke mbyllur edhe tunelet shkarkues të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Për sa i përket liqenit të këtij HEC-i, shkarkimet shënuan dje nivelin e 74.85 metrave, nga 76 metra që është kapaciteti maksimal. Prurjet në këtë liqen janë 70 metër kub në sekondë. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Energjetikës, të dhënat deri në mesditën e djeshme tregonin se Fierza arriti në nivelin e 289.88 metrave, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar i banesit. Tashmë, prurjet në këtë liqen janë 300 metra kub për sekondë, ndërkohë që nuk ka shkarkime. Në Koman niveli i ujit ra gjithashtu në 170.75 metra, ndërsa prurjet shkuan në 170 metra kub në sekondë. Një ditë METE dhe KESH-i morrin vendimin për mbylljen e portave në dy prej HEC-eve të kaskadës së lumit Drin, në Fierzë dhe Koman. Pas dy javësh shkarkimesh, aktualisht hidrocentralet po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa shkarkime nga liqenet.
Situata në Shkodër
Në qarkun e Shkodrës situata e përmbytjeve po shkon drejt normalizimit. Stabilizimi i motit ka ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës në zonat që u prekën nga katastrofa e fillim janarit. Megjithëse situata është drejt përmirësimit, Shtabi i Emergjencave i këshillon banoret të mos kthehen në banesa pasi nuk ka përfunduar ende situata e emergjencës. Në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, të cilat u përmbytën nga fryrjet e lumit Buna dhe Drin, tashmë ka rënë ndjeshëm niveli i ujit. Niveli i ujit në Liqenin e Shkodrës ka pasur rënie në të gjithë perimetrin e shtrirjes se tij. Në hyrje të Urës së Bunës, qarkullimi i është kthyer normalitetit. Në lagjet e dëmtuara nga përmbytjet si: Bahçallëku, Ajasëm, Kirasi, Livadet dhe “Salo Halili”, ka rënë dukshëm niveli i ujit. Kjo, falë dhe ndërhyrjes së ekspertëve nga Maqedonia dhe Kosova për normalizimin e situatës me pompa thithëse. Puna eksperteve vazhdon dhe sot. Edhe në zonën e Nën-Shkodrës, niveli i ujit në komunat e përmbytura ka rënë. Në fshatin Vukatan e Kuq, uji ka ikur nga banesat ndërsa është prezent vetëm në sipërfaqet e tokës. Komunat e Velipojës dhe Dajcit, vazhdojnë të jenë të izoluara nga uji por krahasuar me ditët e tjera, situata në këto zona është drejt përmirësimit. Rruga e Dajçit është bërë e kalueshme nga automjetet e mëdha, por jo për mjetet e vogla. Rruga nacionale Shkodër–Tiranë, tek Harku i Bërdicës është plotësisht e lirë dhe mund të qarkullohet me të gjitha llojet e automjeteve.
Të dhënat e shtabit
Burime nga shtabi i emergjencës pohojnë se në aksin Bërdicë-Dajç (tek Kthesa e Dajçit), niveli i ujit ka shënuar rënie të ndjeshme. Ndërsa janë të pakalueshme rrugët: Pentar–Velipojë, Mali i Jushit–Velipojë, Ura e Gjolulit (aksi Shkodër-Velipojë) dhe Ana e Malit-Obot. Konkretisht, dje sipërfaqja e tokës së përmbytur, sipas raportimeve të kryetarëve të komunave dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë është 8340 ha, nga 9340 ha që ishte ditën e djeshme dhe 11 400 ha që ishte dy ditë më parë. Strukturat e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të tjera të angazhuara për përballimin e emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës kanë punuar gjatë ditës së djeshme për realizimin e detyrave të përcaktuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile. Në këtë zonë vijojnë ende operacionet e shpërndarjes së ndihmave ushqimore, të ushqimit për bagëtinë si dhe për përforcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve në zonë.
16 Janar 2010