Rama: Provat e përmbytjeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dje në një komunikim për shtyp deklaroi se Qeveria i ka të kota përpjekjet për të fshehur provat për situatën në Veri të vendit. Rama u shpreh se provat e përmbytjeve do të diskutohen në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. “Nëse katastrofa në veri ishte një forcë madhore që diktoi shtyrjen e axhendës të opozitës kjo do të thotë që ne besojmë tek një politikë e re që radhën e punës e dikton në sajë të interesave të vendit”, - u shpreh Rama. Sipas Ramës, pushteti i korruptuar ka gënjyer për faktet dhe shifrat, duke theksuar se kanë dalë jashtë kontrollit 35 milionë dollarë për shkak të përmbytjeve. Kryesocialisti shtoi se tmerri më i madh fillon me rikthimin e banorëve në shtëpi në Veriun e mbytur me ujin e keqqeverisjes së pushtetit.
“Jam këtu për t’i bërë një apel të gjithë atyre që janë përfshirë në Gërdecin e Veriut. Po përpiqeni të zhdukni provat që tregojnë se jo zemërimi i Zotit, po ju, njerëzit e paguar nga populli për të prodhuar energjinë elektrike, në poste kyçe drejtuese, politike e teknike, jeni shkaktarët e Gërdecit të Ujit që këputi në mes mijëra familje shkodranësh, zgjeroi e thelloi gropën e zezë të buxhetit të këtij shteti të shkatërruar, u faturoi të gjithë taksapaguesve shqiptarë një tjetër çmim të pamerituar të keqqeverisjes së Sali Berishës”, - u shpreh kryesocialisti Rama.
Vlerësimi: TEC-i i Vlorës del me kosto 13 lekë/kwh
Termocentrali i Vlorës rrezikon të dalë investimi më i pavlerë për qeverinë shqiptare. Edhe pse pranohet se ekzistenca e një TEC-i ruan ekuilibrat e prodhimit dhe të rezervës së energjisë elektrike, fakti se qeveria mori borxh 100 milionë euro për një objekt që nuk do të vihet shpesh në punë, e bën projektin jo të leverdisshëm. Kjo për faktin se ERE e ka vlerësuar koston e prodhimit të energjisë nga TEC-i i Vlorës në rreth 13 lekë për kilovat/orë. Çmimi është tepër i lartë kur mendohet se mesatarja aktuale nuk arrin as tek 10 lekë për kilovat (energjia e prodhuar nga HEC-et dhe importi). Ere ka miratuar edhe çmimet e reja për konsumatorët, tashmë të rritura me 13 për qind.
16 Janar 2010