Shkodër, BB-ja ofron ndihma dhe asistencë për zonat e përmbytura
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philipe Le Houreou, i cili ndodhet këto ditë në vendin tonë, ka inspektuar dje zonat e përmbytura në Shkodër dhe Lezhë. Gjatë inspektimit në terren i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, përfaqësuesi i BB-së deklaroi se e vlerëson mjaft eficient menaxhimin nga ana e qeverisë të situatës së emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës. “Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja. Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës.
Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur. Kjo flet për një menaxhim eficient të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë. Dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficiente”,- u shpreh, Le Houreou. Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houreou, shtoi në deklaratën e tij se ndërhyrja e Bankës Botërore fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve, por edhe të aseteve publike. Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjeneruar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik”, deklaroi më tej, Le Houreou. Zëvendëspresidenti Le Houreou, bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më.
16 Janar 2010