E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendje e jashtëzakonshme në Rusi

Mijëra forca shpëtimi po luftojnë kundër zjarreve shkatërrimtare në pyjet dhe zonat kënetore në Rusi. Sipas të dhënave zyrtare çdo ditë shpërthejnë 300 deri 500 zjarre të reja, si pasojë e një vale të pazakontë të nxehtësisë, e cila ka kapluar Rusinë.

Numri i të vdekurve gjatë zjarreve katastrofike në Rusi u rrit në 34. Brenda 24 orësh janë raportuar 500 zjarre të reja të përmasave të ndryshme, bëri të ditur ministria për Katastrofat në Moskë.

Deri në 2 mijë shtëpi janë shkatërruar nga flakët. Më i prekur është rajoni Nishni Novgorod.

Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në shtatë rajone të vendit. Presidenti nënshkroi edhe një dekret, i cili u jep banorëve të atjeshëm më shumë kompetenca në luftimin e katastrofës.

Medvdev urdhëroi edhe bllokimin e territoreve pyjore për personat "e paautorizuar". Në këto zona do të hyjnë kryesisht forca shpëtimi.

Shefi i Kremlinit urdhëroi dërgimin e ushtarëve shtesë.

"Zjarret janë një katastrofë e vërtetë natyrore, e cila na pllakos çdo 30 apo 40 vjet. Ministria e Mbrojtjes ka detyra të tjera. Por ministria e Mbrojtjes civile, që lufton tani kundër zjarreve, duhet ndihmuar, në radhë të parë me forca të tjera shpëtimi, sipas mundësive të secilit rajon", tha Medvedev, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes, Anatoli Serdjukov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›