E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendjet civile, qeveria cakton numrin e punonjësve në të gjithë vendin

Qeveria ka përcaktuar numrin e ri të të gjithë punonjësve që do të shërbejnë si nëpunës në zyrat e gjendjeve civile në të gjithë vendin. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 62 të ligjit nr.10 129, datë 11.5.2009 “Për Gjendjen Civile“, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave ka kryer një mori ndryshimesh në strukturën dhe funksionimin e këtyre njësive. Nga përmirësimit që i janë bërë ligjit janë kryer ndryshime në strukturën e shërbimit të gjendjes civile. PO kështu ka ndryshuar edhe e gjithë organika e shërbimit të gjendjes civile në bashki, njësi bashkiake, komuna dhe në degët e qarqeve në të gjithë vendin. Ndryshime me ligjin e ri do ti bëhet dhe numrit prej 37 nëpunësish, i cili pakësohet nga numri i nëpunësve të miratuar për institucionin e Prefektit, si nëpunës të gjendjes civile në degët e qarkut. Ky numër punonjësish i kalon numrit të përgjithshëm të nëpunësve të shërbimit të gjendjes civile. Në këtë mënyrë në të gjithë zyrat e gjendjeve civile në të gjithë vendin bëhet një përcaktim i ri i numrit të punonjësve në bazë të ligjit të ri.

Punonjësit

Ligji parashikon në mënyrë të detajuar që emërimi i punonjësve të gjendjes civile në degët e qarkut të bëhet nga prefekti, në bazë të kritereve të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Ndërsa shkarkimi i punonjësve do të bëhet vetëm pasi të merret miratimi i drejtorit të Përgjithshëm. Në relacion shpjegohet se kjo masë është marrë për shkak të fenomeneve që kanë ndodhur kur të zgjedhur vendorë kanë ushtruar presion nga punonjësve të gjendjes civile për të shkelur ligjin. Numri i zyrave të shërbimit të gjendjes civile është 390 në të gjithë vendin, në një kohë që numri i nëpunësve të shërbimit të gjendjes civile në bashki, njësi bashkiake, komuna dhe në degët e qarqeve, është 524 nëpunës. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i shtetit për Ministrinë e Brendshme, nëpërmjet programit të posaçëm të gjendjes civile. Ligji ngarkon Ministrinë e Brendshme dhe Ministria e Financave që të kujdesen për zbatimin e këtij vendimi. Vendimi nr.21, datë 09.01.2008 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e strukturës, të organikës dhe të numrit të punonjësve të shërbimit të gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2010.

Ligji

Ligji i ri “Për Gjendjet Civile” parashikon ngritjen e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, mënyrën e hedhjes së të dhënave dhe ruajtjen e tij. Ngritja e Regjistrit Kombëtar të të dhënave konsiderohet e rëndësishme për sistemin e adresave dhe për prodhimin e listës së zgjedhësve sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor. Po kështu, Ligji parashikon detyrimin e institucioneve dhe individëve për të zbatuar afatet për regjistrimin e lindjeve dhe vdekjeve. Për të gjitha shkeljet, në draftin e Këshillit të Ministrave janë parashikuar gjoba për institucionet dhe individët. Ndërkohë që për prindërit që nuk regjistrojnë lindjen e fëmijës deri në 6 muaj, është parashikuar ndjekje penale sipas procedurave të Kodit Penal. Për zbatimin e këtij ligji është parashikuar mënyra e organizimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila do të jetë e varur nga Ministria e Brendshme me degët e saj në njësitë e qeverisjes vendore.

6 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›