Gjeneral Selimi emërohet komandant i FSK-së
Komandanti i tanishëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral lejtnant Sylejman Selimi, është përzgjedhur për drejtimin e Forcës së Sigurisë, e cila është në themelim e sipër. Emërimi i tij formal u bë dje nga ana e Presidentit Fatmir Sejdiu, një ditë pas propozimit të bërë prej Kryeministrit Hashim Thaçi. Gjenerali 38-vjeçar, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë kandidati i vetëm i propozuar për komandantin e Forcës së Sigurisë. Zgjedhja e tij në këtë post është zvarritur për disa javë, për shkak të "nevojës për konsultime shtesë ndërmjet krerëve të institucioneve të Kosovës". Dy ditë më parë, zyrtarë të NATO-s në Bruksel kritikuan udhëheqësit kosovarë për zvarritjet për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe emërimin e komandantit të saj. Shefi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Gaimpaolo di Paola, tha se përkundër përgatitjeve që ka bërë NATO për fillimin e rekrutimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, procesi po vonohet për shkak të mosemërimit të komandantit të kësaj force nga ana e institucioneve të Kosovës. Lidhur me vonesat për përzgjedhjen e kreut të FSK-së janë bërë kritika edhe nga opozita.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se këto vonesa po ndikojnë negativisht në sigurinë e qytetarëve.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se këto vonesa po ndikojnë negativisht në sigurinë e qytetarëve.