E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, policia bastis shtëpinë e gazetarit shqiptar

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm është bastisur shtëpia e botuesit dhe drejtorit të së përditshmes shqiptare "Koha" në Shkup, Arben Ratkocerit. Pjesëtarë të shumtë të forcave speciale kanë bastisur shtëpinë e drejtorit të gazetës "Koha", duke mos e njoftuar edhe me vendimin gjyqësor kontrollin e shtëpisë së tij. "Në mëngjes, rreth orës katër deri në 06.30 minuta njësitet speciale, mbi 30 të armatosur dhe me maska, u futën në shtëpinë time ku bënë një kontroll të detajuar ku shkaktuan një tmerr e një terror të paparë ndaj dy fëmijëve të mi të mitur, si dhe prindërve e bashkëshortes. Arsyeja, me insistimin tim për të kërkuar dokumentin e gjykatësit hetues për bastisje, ata nuk ma jepnin, duke u arsyetuar se "nuk guxon ta shohësh emrin e gjykatësit-hetues se mund të marrësh ndonjë masë më të dhunshme në ditët e ardhme", deklaroi botuesi i gazetës, Arben Ratkoceri.
Ai vlerësoi se aksioni ka pasur si qëllim ushtrimin e dhunës ndaj fjalës së lirë. Ratkoceri ka apeluar për përgjegjësi nga Ministria e Brendshme. Dikasteri i Policisë, disa orë pas aksionit, deklaroi se bëhet fjalë për koincidencë, sepse kanë kërkuar një person që ka të njëjtën adresë banimi, sikurse botuesi i gazetës "Koha". Forcat speciale të policisë së Maqedonisë në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë kryer kontrolle edhe në mbi 20 familje shqiptare në Çair të Shkupit, në Haraçinë dhe në Opajë të Kumanovës, ku janë arrestuar 18 persona. Sipas MPB-së, aksioni është zhvilluar për të kapur të dyshuarit për vrasjen e policit të njësitit ALFA.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›