E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeneral Vladimir Qirjazi rikthehet si numri dy i KDS-së

Dekreti

Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, ka emëruar dje në detyrën e zëvendëskomandantit të Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes, funksion që e ka kryer edhe më parë, gjeneral brigade Vladimir Qirjazin. Gjenerali është ushtarak me karrierë të gjatë në drejtimin e reparteve dhe njësive të Forcave të Armatosura. Qirjazi ka kryer detyrën e komandant të Komandës Mbështetëse, si dhe atë të zëvendëskomandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Më parë ai ka shërbyer edhe në detyrën e komandantit të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, komandantit të Brigadës së Stërvitjes Bazë, Bunavi, Vlorë, apo dhe atë të zëvendëskomandantit të Forcave Tokësore.

Qirjazi, deri tani zyrtarisht, ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar, strukturë kjo e shkrirë në prill të këtij viti, pas 3 vjet jetëgjatësi, nga dhjetori 2006 deri në prill 2010. Ndryshimi i strukturës ishte kundërshtuar nga ekspertët ushtarakë, pasi jo vetëm se nuk përputhej me atë të vendeve anëtare të NATO-s, por njëkohësisht ishte në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjenerali Qirjazi vjen në detyrën e re, pasi duke iu referuar faqes zyrtare të uebit të KDS-së, ky vend ishte bosh. Më 17 maj të këtij viti, pas emërimit të gjeneral brigade Sandër Lleshit si zëvendësshef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtimin e KDS-së e mori gjeneral brigade Agim Lala.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›