Katër të arrestuarit dhe detyrat personale
Dy ditë më parë, policia arrestoi katër persona për diplomat false të Fakultetit të Drejtësisë. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga përfunduan Medat Ruzhdi Kasa, 54 vjeç, dhe Anai Ramadan Muça, 46 vjeç, të cilët mendohet se ishin sekserët për gjetjen e personave të interesuar për diploma dhe që komunikonin me stafin e fakultetit. Veç tyre u arrestua Fadil Isuf Gurri, 43 vjeç, me profesion tregtar dhe Adriatik Resmi Koçi, 45 vjeç, me profesion përkthyes në disa gjuhë të huaja. Sipas policisë, dy personat e fundit mendohet se merreshin me sigurimin dhe plotësimin e diplomave dhe listave të notave. Policia tha se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe me të tjerë, bënin të mundur sigurimin e diplomave të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës së parave prej 7000 eurosh. Nga hetimet e kryera nga ky seksion, ka rezultuar se ata e kryenin këtë aktivitetet, duke i depozituar këtë shumë eurosh, paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë, si garanci për përgatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj. Vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.
#