Bekim Fehmiu vuante mediokritetin që e rrethonte
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, aktori Enver Petrovci rrëfen kujtimet, kohën e kaluar bashkë me aktorin e madh Bekim Fehmiu. Ai tregon detaje nga koha kur së bashku jetonin në Beograd. Kujton se si e festonin ditën e flamurit duke gatuar në shtëpi ushqime tradicionale shqiptare, madhështinë e aktorit që iku i ngopur artistikisht, disa prej arsyeve që e bënë të tërhiqej prej teatrit e filmit dhe se si e vuante mediokritetin që e rrethonte. Për aktorin Enver Petrovci duket e pamundur kjo humbje tragjike e Bekim Fehmiut, një fund i çuditshëm, edhe pse dorëzohet e thotë: “Vetëvrasje bëjnë vetëm artistët e mëdhenj”.
Petrovci nuk pranon të komentojë mbi dëshirën e fundit të Bekim Fehmiut, që trupi t’i digjet e hiri të hidhet mbi Lumbardhin e Prizrenit. “Nuk e di nëse e ka lënë ai amanet djegien e trupit apo dikush ka vendosur kështu”, thotë ai.
Z. Petrovci, cilat kanë qenë përjetimet tuaja të para kur morët vesh për ndarjen nga jeta të aktorit Bekim Fehmiu, me të cilin ju lidhte edhe një miqësi e ngushtë?
Personalisht mendoj se ai nuk e ka merituar mënyrën se si ka shkuar. Mua më duket e pabesueshme me këtë fund që i ka dhënë jetës. Me sa e njoh, ai ka pasur një karakter të fortë, të pathyeshëm dhe kjo vetëvrasje po më duket e çuditshme. Mirëpo në anën tjetër vetëvrasje bëjnë vetëm artistë të mëdhenj. Po sido që të jetë ai ka shkuar dhe mbrapa ka lënë vepra të mëdha që mund t’i lakmojë secili prej nesh, duke filluar prej meje.
Ju e keni takuar së fundmi?
E kam takuar verën e kaluar. Ai vinte në Prishtinë, ku rrinte nga tre-katër muaj. Por kur jetoja edhe unë në Beograd, aty takoheshim më shpesh dhe luanim shah. Përpos shokë, kemi qenë edhe lojtarë shahu.
Bekim Fehmiu prej vitesh ishte shumë i tërhequr nga interpretimi në skenë, ju duhet ta dini edhe më mirë arsyen përderisa jeni ulur e keni biseduar gjatë...
Biseda jonë e fundit rreth angazhimit të tij artistik ka qenë ndoshta para pesë viteve, kur doja ta bindja që të punonte. Ai më thoshte se nuk mundte të punonte me mediokër. Ndërsa ia ktheja se duhej pasur mirëkuptim ndaj mediokritetit, ndaj provincës që quhet Prishtinë, për të bërë diçka. Nëse e refuzon ajo do të mbetet gjithnjë jashtë lojës. Bekimi më thoshte se edhe nëse nuk do të punonte më kurrë, nuk mund të hynte në nivelin e mediokritetit. Por unë e bindja se duhej të bënte të njëjtën gjë po e bëja edhe unë, ndërsa ai assesi nuk mundej. Mbi këtë çështje u kacafytëm shumë thellë: a është më mirë të kesh mirëkuptim ndaj mediokritetit dhe të punosh diçka, apo të mos punosh fare, gjë që mediokritetin e bën të lumtur. Kjo ka qenë biseda jonë e fundit rreth temës nëse duhej të angazhohej në skenë apo ajo dhe ai nuk është angazhuar më kurrë.
çfarë e vriste atë më shumë shpirtërisht? Ka pasur aludime të ndryshme rreth tërheqjes së tij dhe përjetimeve të situatave ndoshta mes dy vendeve.
Mua ma merr mendja se koha nuk ka punuar për të. Ai është angazhuar, ka krijuar një shoqëri, ka harxhuar një energji të madhe që të krijojë një hapësirë në njerëz dhe përnjëherë ata njerëz i ka shpërndarë lufta. Dikush është vrarë, dikush është larguar, u krijuan armiqësira mes kombesh. Ai këto armiqësira nuk i ka përjetuar, sepse ka jetuar në një kohë tjetër dhe përnjëherë është dashur të ndryshojë mendimin, energjinë, jetesën. Ai nuk e ka përballuar këtë dhe ka menduar se është më e ndershme të tërhiqej se sa të fillonte një jetë krejt ndryshe me njerëz të tjerë. Kështu që mendoj se ky është një shkak shumë i fortë që e ka bërë të tërhiqet. Por ai ka qenë edhe i ngopur. Bekimi veten e ka treguar në film. Për një njeri të Ballkanit, të marrësh pjesë në Europë dhe në botë është një shfryrje e madhe artistike. Ai ka qenë një njeri që përshtatej dhe që në aspektin artistik ka qenë i ngopur.
E vuante neglizhencën ose mosvlerësimin në rrethin ku jetonte?
Të mos harrojmë, ne të gjithë e kemi lakmuar Bekimin. Pavarësisht se suksesi i tij ka qenë i paarritshëm, donte s’donte ai, provinca krijonte një antipati ndaj atij që nuk mund ta arrijë dhe kjo pa vetëdije e bën tjetrin të krijojë një antipati, një lloj armiqësie ndaj të suksesshmit. Kjo është e njohur sidomos te ne shqiptarët e Kosovës, edhe pse mendoj se të tilla fenomene i vuajnë provincat në përgjithësi.
Ju keni qenë në familjen e tij?
Në familjen e tij kam qenë për sa kohë isha edhe unë në Beograd. Kalonim dreka e darka bashkë. E kemi pasur traditë që ai vinte tek unë për ditën e flamurit shqiptar. Vinte i veshur bukur, solemnisht dhe unë e prisja po aq solemnisht. Ai sillte lule dhe më uronte ditën e flamurit. Më pas gatuanim specialitete shqiptare. Kjo ka qenë tradita jonë. Mirëpo unë e tradhtova, e lashë Beogradin dhe u ktheva në Prishtinë.
Ai ka lënë amanet që t’i digjet trupi...
Unë nuk e di, nuk e kam verifikuar këtë. Po flitet kështu, por nuk mund të komentoj diçka që nuk e kam lexuar vetë. Nuk e di, vërtet nuk e di. Nuk e kam dëgjuar zyrtarisht këtë, kur ta dëgjoj atëherë ndoshta them diçka. Këto për momentin janë thashetheme. Nuk jam në dijeni nëse e ka lënë ai amanet djegien e trupit apo dikush ka vendosur kështu.
çfarë do të thotë humbja e Bekim Fehmiut për artin shqiptar?
Për dikë qan, sepse kemi nevojë për atë që ka shkuar. Në këtë rast mendoj se ne kemi pasur nevojë për Bekimin si një simbol i gjallë me të cilin njeriu ka pasur mundësi ta tregojë me gisht e të thotë: Shiko, edhe ne kemi armë, armë artistike. Ai nuk ka pasur nevojë për ne, aq sa kemi pasur ne nevojë për të si simbol i madhështisë. Mund të them vetëm që e falënderoj shumë që më ka lejuar të bëhem miku i tij dhe jam i lumtur që kam jetuar në kohën e tij, këtë e them pa kurrfarë modestie.
#