Lezhë, zyrtarët nën hetim lirojnë të burgosurin
Dy zyrtarë të Burgut të Shënkollit në Lezhë janë vënë sërish në shënjestrën e prokurorisë, pasi i kanë miratuar dhënien e lejes një të burgosuri, i cili nuk është kthyer më, pas përfundimit të afatit. Dy zyrtarët, të cilët kanë liruar të burgosurin janë pikërisht personat që janë marrë nën hetim nga prokuroria pak kohë më parë për të njëjtin problem. Burimet nga Burgu i Lezhës shpjeguan se rasti i fundit ka të bëjë me të burgosurin Xhevahir Kasemi, lindur e banues në Laç. Sipas dosjes, ky person është dënuar me dhjetë vjet burg për grabitje me armë. Aktualisht, ai ka bërë pothuajse nëntë vjet burg dhe i kanë mbetur për të mbaruar dënimin edhe 14 muaj. Para disa ditësh, ai ka përfituar një leje pesë ditore, pasi do të shkonte të qëndronte pranë familjes për një sebep familjar. Leja e tij zgjaste deri në orën 16:00 të së mërkurës, por ai nuk është rikthyer në burg, ashtu siç parashikohet në marrëveshje, para se ai të lirohet me leje. Gjatë verifikimit ka rezultuar se personat që i kanë plotësuar dokumentacionin për leje dhe kanë dhënë mendimin për të janë pikërisht edukatori Pjetër Leka dhe shefi i edukimit, Sejfulla Shehu, me detyra në Burgun e Shënkollit. Por, këta dy persona dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën për rastin e Spartak Alisë, rast i ndodhur në fund të muajit prill, të cilit iu dha leje për të dalë nga burgu dhe më pas nuk u kthye më, derisa u kap nga policia. Sipas të dhënave nga prokuroria, dosja e tyre është hetuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje dhe i ka nxjerrë me shkelje procedurash gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe Spartak Alia ishte dënuar për grabitje me armë. Madje, ai është kapur një ditë me celular në burg. Për këtë arsye, ai është dërguar në izolim dhe ka dalë që aty vetëm tri ditë para se të merrte lejen për të shkuar pranë familjes. Shehu dhe Leka i kanë dërguar drejtorit të burgut kërkesën për t’i dhënë leje, vetëm 72 orë pas daljes nga izolimi, por kjo bie në kundërshtim me rregulloren. Sipas të dhënave, të burgosurit që janë futur në izolim nuk lejohen të marrin leje deri në gjashtë muaj, pasi kanë dalë nga aty. Por, edukatori përgjegjës i Alisë, Pjetër Leka, dhe shefi i edukimit, Sejfulla Shehu, kanë shkruar në dosjen e tij se ai ishte shembullor dhe që nuk kishte kryer ndonjë shkelje. Duke u nisur nga kjo, drejtori ka miratuar lejen. Hetimet janë kryer, pasi Alia ka marrë lejen dhe nuk është kthyer në afatin e përcaktuar. Tashmë, janë pikërisht këta dy persona që kanë plotësuar edhe dosjen e Kasemit, ku lindin dyshime se dy zyrtarët janë të pafat, ose kanë gabuar me dhëniet e lejes.
#