Gjenerali balerin i Kadaresë
Veprat madhore letrare ngacmojnë përjetësisht krijmtarinë e gjerë artistike. Nuk rreshtin së shfaquri herë mes ngjyrash a formash plastike, herë përmes tingujve a lëvizjeve e shpesh në epokën moderne përmes celuloidit.
Versione pas versionesh kanë ardhur, vijnë e do të shfaqen sërish me thelbin e tyre që ngacmon kohërat. Si nukël me forcë shpërthyese ajo çfarë është eterne (e përjetshme) në idenë thelbore gjeneron vetvetiu potencë implementimi, kundrimi, transformimi si në rrafshin e përshtatjes me atë që i themi filozofi e kohës, ashtu dhe në rrafshin e gjenerimit të ashtuquajturës modë të formësimit të ideve që gjithashtu transformohet pa rreshtur.
Çdo absolutizim i gjykimit në art lidhur me pavlefshmërinë e krijimeve qoftë dhe të epokave apo rrymave artstike të gjykuara sipas disa kanoneve jashtartistike si të shterpëta, dekadente apo dhe në të kundërtën të glorifikuara a mbivlerësuara, është i përkohshëm sa kohë ndryshojnë vlerat që mbartin realitetet e zhvillimeve shoqërore a historike.
Rivlerësimet e artit antik a shprehjet e artit prehistorik, rivlerësimi dhe ngacmimi i ideve të kohës moderne përmes barokut deri tek rizbulimet edhe mbas qindra vitesh të kryerveprave që na habisnin edhe sot me atë çka na thonë përmes muzgujve të kohës, janë tashmë realitet i pakontestueshëm e që nuk dallojnë se nga cila epokë vijnë, kujt i adresohen dhe ku shkojnë.
Ajo që praktika jetësore artistike e ka vendosur tanimë si postulat e saj, dhe që është determinuese për këtë proces rizbulimi është kujdesi profesionalisht i saktë për trajtimin, evidentimin apo dhe riinterpretimin e tyre. Bashkimi i atyre që duken si kundërshti mes rizbulimit dhe riinterpretimit që shpesh është gjendur përmes modernitetit të kohës kur ka ndodhur ky proçes, ka rezultuar si rruga më e sukseshme dhe përgjithësisht më atraktive.
Ndërsa dhe rruga e minuciozitetit të rijetësimit përmes saktësive arkivore a muzeale, shumë më e komplikuar e disi abstrakte për kohë, mbetet dukuri më e rrallë, por gjithshtu e vlefshme hisrotikisht, së paku.
Në rrugën krijuese jo vetëm të artistëve me përmasa universale, por edhe të emrave të tjerë profesionalisht dinjitozë si dhe në artin tonë, ka skuta krijues a të trajtimeve krijuese që nuk vijnë të shfaqura hapur. Arsye të shumta po t’i studiosh bëjnë që shumë zgjedhje a zgjidhje që në të vërtetë janë thelbi i mjeteve shprehëse apo dhe burim i ngacmimit krijues të vijnë si të thuash jo në plan të parë por përmes shtresash a mbulesash, këto o të imponuara o të preferuara nga vetë autori. Arsyet janë të ndryshme, por jo të paidentifikueshme.
Sa më sipër ka patjetër referim edhe me versionin e ri të baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që mban autorësinë e trinomit Kadare – Zoraqi – Aliaj. Eterne është leit tema e romanit shumëdimensional të Kadaresë e cila mund të quhet zanafilla e rrjedhës moderne të letërsisë sonë me atë komunitare.
Sot më tepër se kurrë kuptohet etja e binomit erruptiv krijues Zoraqi – Aliaj sidomos pas disa bashkekrijimesh skenike në atë kohë jo vetëm të sukseshme publikisht dhe pa asnjë suporti, si thuhet sot …
Të prekje Mitin e Gjeneralit i shndërruar sa në dramatizime e bashkëprodhime të rralla për kohën, madje dhe të pakuptueshme për mentalitetet e nxitura artificialisht atëherë, duhej kapacitet posepo por edhe shumë guxim. Të dyja këto cilësi ishin tepër intriguese për t’i hyrë sprovës por patjetër dhe mëdyshjes deri në fund. Ishte koha kur me zjarrin mund edhe të luhej, por duke llogaritur edhe mundësinë ekstreme.
Vetë “Gjeneralin”…. Dallgët herë e nxirrnin në sipërfaqe dhe herë e mbulonte shkuma e tyre. Më së shpeshti “binomi” apo dhe “trinomi” ynë ishte më shumë i toleruar sesa i preferuar.
Drama e rikonfirmimit të vazhdueshëm pas çdo errupsioni krijues ishte diçka jetike në kuptimin më të gjerë dhe sigurisht sfilitëse për autorët.
Ishin vitet kur imponimi i ideve dhe trajtimi i tyre ishte strikt, kur dallga e kohës nuk shkonte drejt lartësimit por drejt fundosjes. 1977, para dhe pas, vite të cikleve plenumore më të egra dhe që privacionet në sensin e gjerë i kishin thuajse të njëjta si për ata që ishin brenda ashtu dhe për ata që mbijetonin jashtë. Tamtamet dhe flamujt maskonin realitetin.
Ajo çka ndodhi më pas me vendosmërinë për ta realizuar koreografikisht “Gjeneralin” por duke evindetuar si linjë kryesore jo dramat njerëzore të konflikteve që gjenerohen pandalshëm dhe rezistencës humane për vijueshmërinë e jetës, fateve dramatike a tragjike individuale asi kohësh por dhe kontributit kolektiv për përballimin, u zhvendosën si koracë mbrojtje pas sloganeve “ne ndërtojmë, ecim përpara – thotë fabrika e re, njerëzit e rinj… etj, këngës së koperativisteve që i këndojnë bukurive të tokës, thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak etj. Përmes shumë artificeve ata fshehën ngacmimin artistik që i ngjallte kjo vepër. Atë e respektuan dhe e ruajtën brenda skenave amballazhuese e ku nuk binte në sy as moderniteti as kërkimi i një gjuhe të avancuar për kohën e diçka më pas pwr tw cilwn u pwrpoqwn tw jenw tw matur por as dimensioni i së vërtetës.
Mbase në vetvete jetonte shpresa se mundej një ditë flatrat e lirisë krijuese ta rimerrnin fluturimin.
Operimi për të zbuluar atë çka është e vërteta e leximit muzikor e koreografik të veprës së Kadaresë në kushtet kur dallimi mes faqeve muzikore që ngërthejnë atë që ka buruar nga romani dhe asaj që I është ngarkuar artificialisht apo ekzagjeruar për mosdjegien e krijimit, përligj një version rizbulues dhe që sjell në evidencë natyrën e vërtetë të krijmtarisë Zoraqi, venën krijuese të kompozitorit pasionant e të ngërthimeve të mëdha dramatike me koreografinë ende në fertilitet të Aliaj-t.
Sjellja në parametra të zhvillimeve skenike aktuale ndërkombëtare që për krijime të këtyre përmasave është mëse e nënkuptueshme i ka sjellë këtij versioni të ri interesin e riinterpretimit të veprës dhe dëshirën për të mos bërë vetëm një homazh honorifik në 80-vjetorin e lindjes së Nikolla Zoraqit, por për të ndihmuar në rivlerësimin e vlerave që meritojnë të mbeten në fondin e asaj që në fund të fundit është vlerë.