Newborn nëpër jetësi
“Sikur të isha alien dhe ta shihja nga lart gjithë ç’ka po ndodhte në Kosovë, do të habitesha me ç’prejse është e mundur, me çfarë Kosova e fitoi gjithë këtë angazhim botëror?! Kështu, me pikëpyetje dhe pikëçuditëse në fund, e kompozoi Havier Solana - as më shumë e as pak, por vetë kreu i forcës së të drejtës - atë frazë që shprehte pështjellimin e tij të çudisë ndaj kauzës së madhe të Kosovës.
E ç’hyn kjo fjali artikulimi politik, prej njeriu gjithaq politik, në shkrimin për çeljen e një ekspozite arti? Pikërisht. Dhe jo vetëm për lidhjen e saj me një jubilar të spikatur, për më tepër këtë vit i pari, madje as vetëm për konotacionin me shpalljen e muajit të kulturës Shqipëri- Kosovë, teksa gjejmë rastin e pakontestueshëm të jemi, në këtë rast pse jo, edhe në akord me shtetin. Fjala është tjetërkund. Është se çudia hyn e tëra në sferën e artit. Domethënë nuk është, ishte tjetërkund. Ndërsa për këto dy javë do të jetë në sofrën e saj, në një shtëpi arti, tabloje dhe libri.
Kur realiteti real nuk i bëzan dot qartësisht bëmat që ngjajnë në të, është arti, me mistikën tij dhe afiniteti i tij me Mistiken, që mund edhe të qëllojë në shenjë. Të qëllojë artistikisht.
Dhe kështu, të shohim se si është ngrehur në këtë ekspo shprehja e përbashkuar e pesë artistëve prej Kosove: me tablotë e ciklit kryengritje nga Gembi Xerxa, meditimet e Merita Jahaj nën çadra dielli apo shiu rrëke e gjer te pulsionet e Alban Mekes, melankolisë së bombave që dërgon Kastriot Nuraj prej ditëve të gjata të Norvegjisë, dhe sërish me gjyrën e kuqe vatre të Gani Gashit, nën mikëpritjen shqiptare të bacë Ali Osekut me veprat gjurmë kosove 99, si për të na kujtuar, më shumë se origjinën e tij kosovare, vetë peshën e gravitetit të origjinës. Apo dhe gjurmët e gjëmës prej të nëntëdhjetëenëntave dhe viteve barikada si prej Hygoi.
Sigurisht që arti përgjigjet vetëm duke çelur pyetje të reja. Kësisoj i ndih, i fryn dhe i ngre vellon e çudisë edhe perceptimit të përgjigjeve kurajoze si kjo më poshtë, të cilës realiteti do kohën e vet për t’i vënë vulën:
“U.Ç.K rezultoi të jetë formacioni kryengritës më efikas dhe i suksesshëm në historinë e njerëzimit” Tim Judah.
Po kjo histori ç’hyn në një eksopzitë arti! Hyn, hyn. Se po të mos hynte, nuk do kishte nga dilte historia! Dhe sot nuk do ta kishim të instaluar në Prishtinë NEWBORN-in që u mbush me firma e gjurmë kujtese në përvjetorin e parë të pavarësisë; e as të mblidheshim dhe pagëzonim një ekspozitë në zenit e të rendnim pas bukurisë së artit. Sepse jemi këtu të festojmë me art mundin e luftës së Kosovës. Për një bukuri krejt tjetër por po aq sublime sa ajo që cilësonte Kamy e për të cilën grekët e Iliadës rrëmbyen armët e parzmoret. Anipse jo për bukurinë e dashurisë, ama, në të voglën tonë, për dashurinë ndaj bukurisë, bukurisë së vetes: Mëvetësisë. Asaj bukurie për të qënët as më shumë e as më pak se këta që jemi.
Sepse, ç’prej Homerit, njerëzimi e ka tashmë të shenjuar që lufta dhe bukuria në sensin e poetikës së saj i lënë vend vetëdijes së epërme etike dhe gjetjes së vetvetes. Pastaj, a nuk e kanë thënë gjithherë se pas luftrave janë kryer e përkryer veprat e mëdha e të vërteta të artit?! Kështu ka ndodhur. Pse asnjëherë më shumë, njeriu si narrator, siç ngjet pas përvojave e përvojtjeve të betejës së humbur apo fituar, nuk është gjendur më pjellor. Dhe ne na duhet kjo pjesë, terreni art. Pra bukuria e vuajtjes si e tillë.
Ne ballkanasve na e ka yshtyr që Iliada vargun: “ Trishtimi është fati ynë; po pikërisht për këtë jetët tona do këndohen në përjetësi, nga gjithë njerëzia që do vijojë”. Por historia edhe kthen. Tashmë e dimë: më mirë mbarësia pas pikëllimit, se sa e liga makute e historisë sonë që si fillim na vjen gjithmonë me vrunduj të gënjeshtërt hareje. E meqë e njohim të trishtën qysh në krye të erës, pse të mos ia nisim zëfilli e t’i këndojmë këto tonat jetë, si të na vijë mbarë e siç dimë vetë. Sot për sot le të akordohemi me mëvetësinë dhe njëri – tjetrin dhe të ftojmë gjithë të tjerët në akord e harmoni me ngjyrat e NEWBORN. ...Nesër shohim e bëjmë!
*Fjala që si traditë tashmë paraprin çeljen e një ekspozite në ZENIT