E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhje për problemin Mero Baze: si të vrasësh drejtorin e një të përditshmeje

Nga Simone Petrelli, Articolo 21 - Osservatorio Esteri

Edison Ypi është një opinionist; firmë e njohur e redaksisë së gazetës shqiptare “Koha Jonë”, e përditshme pranë kryeministrit dhe qeverisë. Në shënjestër të tij u vu ditët e fundit Mero Baze, që është ndërkohë drejtor i së përditshmes “TemA”, i cili drejton nga e hëna në të premte emisionin politik “Faktori Plus”, në një stacion satelitor lokal, “Vizion Plus”. Baze është kritik. E ka me qeverinë. Gazeta e tij shpesh ka hetuar dhe ka dënuar Berishën dhe tijtë me akuza për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike.

Dhe një ditë shfaqet një shkrim nën autorësinë e Edison Ypit, i cili, është pak të thuash, ngjalli indinjatë tek organizatat e gazetarëve në vend dhe provokoi një alarm aq të zhurmshëm, saqë mbërriti në vesh të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Nju-Jork. Artikulli titullohet thjesht “Mero Baze”, dhe nuk mjaftohet aspak të sulmojë hapur gazetarin, sepse sugjeron edhe mënyrën, pa mëshirë dhe me detaje, për të zgjidhur problemin. Ja zgjidhja e Ypit: “Ka shumë mënyra për të çarë një kafkë, duke e përplasur në mënyrë të përsëritur për muri, ta zgërlaqësh me një çekiç, ta hedhësh në erë ose ta hapësh për të parë se çfarë ka brenda”.

Tjetërkund e gjitha kjo ka një emër: nxitje e hapur publike për zhdukje fizike. Të njëjtin mendim shprehën dhe anëtarët Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Nju-Jork. Kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, Edison Kurani, nxitoi të saktësojë që shkrimi pasqyron vetëm opinionin e Edison Ypit, natyrisht jo atë të gazetës, ashtu si dhe ishte shkruar në fund të artikullit: “Redaksia e ka parë të nevojshme të shtojë disa radhë për të thënë që shkrimi i Ypit përfaqëson vetëm një këndvështrim personal. Në të gjitha gazetat në Shqipëri, - thotë ai, - çdo opinionist është i lirë të shkruajë çfarë të dojë dhe askush nuk ka pushtetin të censurojë asgjë nga ato që ai shkruan”, - shton ai.

Por për Mero Bazen kjo nuk ndryshon gjë. Kohët e fundit ka qenë shënjestra e qeverisë në një fushatë të vërtetë censure që kishte qëllim të vetëm t’i mbyllte gojën. Natën e Vitit të Ri makina e tij mori flakë. Për policinë ishte thjesht një qark i shkurtër. Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar hyn në lojë edhe Ministria e Ekonomisë, e cila anuloi pa asnjë paralajmërim kontratën e qirasë së redaksisë së gazetës “TemA”. Edhe pse gjykata e kryeqytetit e pezulloi vendimin, në fillim të janarit policia e pa të arsyeshme të vazhdonte punën. Sot Baze nuk ka asnjë mundësi ta kundërshtojë këtë komplot. Ministria e Ekonomisë bëri me dije se pas prishjes së kontratës nuk ka asnjë motiv politik. Është vetëm një “nevojë e papritur publike” për ambiente, të cilat janë të destinuara për një tjetër përdorim. Shoqatat e gazetarëve i kanë bërë thirrje qeverisë të prononcohet për këtë problem. Por nga Tirana nuk ka akoma asnjë shenjë për një gjë të tillë.

Ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh dhe i doli në krah gazetës “TemA”. I bëri dhe ai një thirrje Sali Berishës, duke i kërkuar të tërhiqet, si dhe kërkoi që Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare të vlerësojnë me përpikmëri qëndrimin e qeverisë në raport me botuesin.

Në vazhdën e apeleve, Rama iu drejtua edhe Prokurorisë së Përgjithshme për të nxjerrë para ligjit ata, të cilët rrethuan redaksinë e gazetës “TemA”. Motivacioni zyrtar i apelit ishte ky: Të mos lejohet pushtetit ekzekutiv të përdorë në mënyrë jo-ligjore Policinë e Shtetit, duke ushtruar kështu një forcë të verbër dhe të dhunshme kundër pushtetit gjyqësor.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike dhe zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, të cilët e etiketuan “TemA”-n dhe botuesin e saj si “ushtarë” të Edi Ramës.

“Edi Rama po mbron gazetën, të cilën e bleu në 2006 për 500 mijë euro, - thonë ata, - të cilën më pas e rishiti vetëm për 10 mijë euro, për të maskuar blerjen e medieve prej tij.” Morali: Rama mbron gazetën vetëm për interesa të tij vetjake, duke publikuar nja shtatëdhjetë artikuj kundër privatizimit të ARMO-s, ndërkohë që tenderi u fitua nga një manjat, i cili ofroi 130 milionë euro përballë 100 milionëve të ofruara nga konsorciumi i tij.

“Nëse do, e përditshmja mund të publikojë artikuj të Ramës edhe dy herë në ditë, një nga selia e Partisë Socialiste e një nga selia e Bashkisë së Tiranës”. Është ky thelbi i njoftimit për shtyp të Partisë Demokratike.

Por duket ama si gozhda e radhës e ngulur në trupin e lirisë së shprehjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›