E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si në rastin e Gërdecit, mazhoranca vlerëson reagimin e shpejtë për Pangon

Nga L.Progni, A.Maho

Si në rastin e tragjedisë së Gërdecit, sërish mazhoranca është fshehur pas justifikimit se kryeministri reagoi shpejt për këtë skandal.

Kryetarja e Kuvendit tha se ndihej e tmerruar nga burra që dalin lakuriq

“E përshëndes kryeministrin Berisha që për 4 minuta e shkarkoi”, - tha Topalli.

Ndërsa zv/kryeministri, Genc Pollo, ka deklaruar se reagimi i menjëhershëm është standardi i kësaj qeverie.

“Reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Berisha për çështjen ‘Pango’ është standardi që ka vendosur kjo qeveri për ata që abuzojnë me detyrën. Shkarkimi i menjëhershëm i deputetit Ylli Pango nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është dëshmia se kjo mazhorancë nuk toleron abuzivizmin.

Dorëheqje ka pasur dhe në rastet e një fatkeqësie të shkaktuar për arsye kriminale, korruptive, që mbeten për t'u zbuluar, apo në rastin kur mazhoranca dorëzoi imunitetin për akuzat politiko-financiare të manipuluara të opozitës”, - tha Pollo. Ai deklaroi se mazhoranca do të vijojë me reformat dhe do fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Në qershor votuesit shqiptarë duhet të zgjedhin midis vazhdimësisë së reformave të një Shqipërie që po ndryshon dhe një përpjekjeje për të ofruar një alternativë nga pala tjetër”, - tha Pollo.

Ai përmendi rastin e KPD së famshme, kur Nano sulmoi disa prej zyrtarëve të lartë të PS. “Dua të përmend ish-kryetarin e PS, i cili në periudhën e katarsisit përmendi 12 raste konkrete të shoqëruara me emra konkretë të abuzimeve në detyrë për favore të tilla, jo të mbetura në tentativë, por të kryera. Edhe pse prisnim që të kishte shkarkime apo dorëheqje, për fat të keq edhe me përfundimin e katarsisit apo ndryshimin e qeverisë, kjo gjë nuk ndodhi”, - tha Pollo.

Gërdeci ishte aksident teknologjik, Patozi: Ky është aksident personal

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, tha dje se skandali me Pangon ishte një aksident personal. Ashtu si në Gërdec mazhoranca ka nxituar ta etiketojë këtë ngjarje si aksident personal, kur Gërdecin e quajti aksident teknologjik.

“Ky është një aksident personal dhe përgjegjësia është individuale. Përgjegjësia e mazhorancës, e qeverisë dhe kryeministrit është reflektimi. Ky është standardi jonë, ju keni standardet tuaja”, - tha Patozi

Topalli: Pango të lërë mandatin e tij. Më tmerrojnë burrat e tillë lakuriq

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha dje në Kuvend se deputeti Ylli Pango duhet të dorëzojë mandatin e tij, sepse ai nuk përfaqëson askënd tashmë. Ajo tha se si kryetare Kuvendi nuk duhet të kërkojë heqjen e imunitetit të tij.

Topalli iu drejtua dhe opozitës duke deklaruar se ajo po e trajton shumë butësisht çështjen e Pangos. Sipas saj, kjo ngjarje është më shokuese.

Por Topalli ka shfaqur dhe një tjetër shqetësim, atë të një nëne që ka fëmijë, të cilët mund të bien pre e zyrtarëve të papërgjegjshëm si Pango.

“Jam e tronditur nga mënyra e butë, me të cilën zonja Leskaj e trajtoi çështjen që ka ndodhur mbrëmë. Nuk është çështje e shërbimit civil, zonjë, por, ajo është shumë më e rëndë, shumë e turpshme, shokuese dhe shumë më e papranueshme.

Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e Partisë Demokratike; zotëria në fjalë ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar; zotëria në fjalë nuk mund të trajtohet kaq butë sa e trajtoni ju zonjë. Jo, jo. Kjo është shumë e rëndë.

Si kryetare e parlamentit nuk kërkoj heqjen e imunitetit të tij, por i kërkoj që të lëshojë mandatin, sepse mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar.

Si nënë, jam e tmerruar, e frikësuar, se kemi fëmijë dhe nuk mund të imagjinohet që këta burra të sillen në mënyrë të tillë”, - tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit tha se ndjehej e tmerruar nga burrat lakuriq. “Jam e tmerruar nga burra të tillë që dalin lakuriq. Por, të paktën, kryeministri Berisha e shkarkoi brenda 4 minutave. Pyeteni pak veten tuaj!” - tha Topalli.

Mustafaj: Duhen ndryshime rrënjësore në qeveri për të përmirësuar imazhin

Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, ka kërkuar ditën e djeshme që qeveria të riformatohet pas skandalit të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango.

Duke u prononcuar për mediet, Mustafaj tha se duhen ndryshime të thella në qeveri për të paraqitur përpara qytetarëve një ekip fitues për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, kjo është rruga për të fituar zgjedhjet dhe për të përmirësuar imazhin e PD.

“Natyrisht që kjo është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme për të gjithë. Por do të doja të tërhiqja vëmendjen e Berishës në një aspekt tjetër: Është në të drejtën e tij kushtetuese dhe detyrimin politik si kryetar i qeverisë të përfitojë nga ky rast për të bërë një operacion të thellë në qeveri, në mënyrë që të shfaqi para shqiptarëve ekipin e ri fitues për zgjedhjet e ardhshme, që do të jetë ekipi që do të udhëheqë shqiptarët në katër vitet e ardhshme. Kjo është mënyra e vetme për të përmirësuar imazhin duke treguar se Partia Demokratike ka energji të mëdha qeverisëse dhe është e aftë të çojë deri në fund reformat e modernizimit të Shqipërisë”, - tha Mustafaj.

Patozi: Opozita po përfiton politikisht nga ky skandal

Nënkryetari i demokratëve, Astrit Patozi, tha dje se opozita po përpiqet të përfitojë politikisht nga kjo ngjarje. “Kjo opozitë mban mbi vete një mal skandalesh, dhe përpjekjet e saj për të përfituar politikisht nga kjo ngjarje janë të pashpresa”, - tha Patozi.

“Është e papranueshme që opozita po përpiqet të përfitojë politikisht ose të ndërtojë kredencialet e rrënuara politike mbi një histori, e cila është mbyllur vetëm 5 minuta pas shfaqjes së saj në televizionin “Top Channel”. Mbyllja e kësaj historie është edhe standardi që ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë ta mbajmë, standard që ju nuk e keni pasur kurrë. Një mazhorancë, një parti politike, një qeveri, një kryeministër nuk mund të gjykohet dhe vlerësohet kurrsesi në raport me atë që dikush prej nesh apo secili prej nesh mund të kryejë gjatë ushtrimit të detyrës”, tha Patozi.

Sipas, tij “standardi përcaktohet nga mënyra se si reflektohet dhe reagohet, dhe reflektimi i menjëhershëm i kryeministrit Berisha mbrëmë tregoi standardin e kësaj mazhorance”.

“Të gjitha skandalet që keni pasur gjatë kohës që keni qeverisur Shqipërinë, kanë qenë edhe më të rënda. Ka pasur raste të ngjashme dhe ju keni kryetarin tuaj, i cili të paktën prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur lakuriq para shqiptarëve. Askush prej jush nuk ka guxuar të thotë një fjalë për të. Ju keni histori më të rënda të perversitetit të kryetarit tuaj në lidhjen e Pezës apo jashtë saj dhe ju heshtni, sepse jeni mësuar të bashkudhëtoni me skandalin”, - iu drejtua zoti Patozi deputetëve të opozitës.

“Edhe për raste që kanë qenë krejtësisht të pavërteta dhe të pabazuara, ministra të kësaj qeverie kanë dhënë dorëheqjen. Keni shembullin e politikanit të ndërgjegjshëm, Ilir Rusmali, i cili dha dorëheqjen për diçka që u vërtetua se ishte e pavërtetë. Ne kemi dorëzuar imunitetin e ministrave tanë, duke qenë të bindur se asnjë nga akuzat që ju keni bërë në këtë parlament nuk ka qenë e vërtetë”, - tha zoti Patozi.

Opozita bën njësh skandalin “Pango” me përçarjet brenda saj

Opozita ka shfaqur sërish në Kuvend përçarjen e thellë që ekziston brenda saj gjatë diskutimeve për skandalin e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango.

LSI dhe PS kanë bërë thirrje që qytetarët shqiptarë të votojnë për të larguar këto mazhorancë, por dhe kundërshtarët e tyre brenda kampit të majtë.

Kryetari i LSI, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij ka përmendur dhe skandalin e fotove lakuriq të kryetarit të PS, Edi Rama.

“Iu bëj thirrje të gjithë politikanëve të distancohen nga çdo lloj lakuriqësie të majtë apo të djathtë, sepse ne jemi shqiptarë, sepse ne kemi tradita kombëtare. Çdo njeri është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e vet, por jo në politikë dhe në jetën publike.

Ndaj, edhe njëherë i kërkoj zotit Pango që të mos vijë më në sallën e parlamentit dhe i kërkoj shqiptarëve të mos sjellin asnjë lakuriq më 28 qershor këtu në sallën e parlamentit, sepse u bënë 20 vjet tranzicion, 20 vjet demokraci. Po na shisni perversitetet si modernitete në këtë vend. Po na bëni t’i mbajmë fëmijët larg televizioneve, larg gazetave. Një turp i madh.

I ftoj të gjithë shqiptarët, më 15 mars, me rastin e 1- vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, të bashkohen me të gjithë opozitarët e vërtetë në sheshin “Nënë Tereza”, sepse në mars i ndodhkan të gjitha tragjeditë Sali Berishës dhe jam i bindur se ky është marsi i fundit me Berishën në pushtet dhe me Berishën në politikë”, - tha Meta.

“Ne duhet të mbrojmë integritetin e këtij shteti, të cilit sikur të mos i mjaftonin skandalet e tjera, dje iu përcoll në të gjithë botën dhe sot është në të gjithë gazetat prestigjioze edhe ky lajm, se në Shqipëri ndodhin edhe çudira të tilla, ku vendet e punës kërkohen në mënyrë krejtësisht perverse. Pra, e kam fjalën të vendosim një standard të ri të shtetit, parlamentit, politikës, larg perversitetit dhe lakuriqësisë, sido që të shfaqet ajo, me ngjyra të majta, apo me ngjyra të djathta.

Duhet të kuptojmë se nuk mund t’i rrisim fëmijët në këtë vend me lakuriqësi politikanësh, me këtë shëmti të madhe, e cila neverit shqiptarët dhe i bën ata që të ndihen vërtet të pashpresë në këtë vend, ku qeveritarët, politikanët, tallen me hallexhinjtë, me fukarenjtë dhe me ata që duan ta nisin jetën nga e para, duke mësuar punët e këqija që në fillim”, - vijoi më tej Meta.

Ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se zgjedhjet e ardhshme do largojnë këtë mazhorancë të korruptuar bashkë me drejtues të tillë të politikës së vjetër si Ilir Meta.

Veliaj sërish sulmon Metën

Kryetari i Lëvizjes G99, Erion Veliaj, tha dje se punësimi i të rinjve në Shqipëri është në krizë. Sipas tij, që të gjesh punë, duhet të bësh seks me ministrin.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një tryeze të rrumbullakët me ekspertë të ekonomisë, si dhe studentë për të paraqitur disa zgjidhje konkrete dhe ide origjinale që do të lehtësonin punësimin e të rinjve shqiptarë dhe do t’ju ofronin atyre mundësi për të ndërmarrë dhe ide biznesi.

“Punësimi rinor në Shqipëri vuan së tepërmi mungesën e traditës së meritokracisë. Studimet tregojnë qartë se rreth 75 për qind e të rinjve kanë gjetur punë nëpërmjet kontakteve personale, ndaj meritokracia sot në Shqipëri është në minorancë. Sot për të gjetur punë duhet të jesh ose anëtar i familjes së kryeministrit ose të jesh pjesë e preferencave lokaliste të kryeministrave dhe ish-kryeministrave, pra nga Tropoja ose Skrapari, ose siç e pamë nga dje të bësh seks me ministrin”, - tha Veliaj.

Prezantime të ideve konkrete u bënë nga Arbi Mazniku dhe Gjergji Filipi. Sipas planit të G99, tri janë shtyllat kryesore, në të cilat duhet të punohet intensivisht për nxitjen e punësimit të të rinjve. E para është rritja e cilësisë së arsimit dhe orientimi i tij drejt kërkesave të tregut të punës duke nxitur investimin në ata sektorë që kanë kërkesë më të madhe pune. E dyta është inkurajimi i arsimit profesional të specializuar sipas dinamikave specifike të zonave dhe qyteteve të ndryshme. Shtylla e tretë që përbën një risi në planin e G99 është përdorimi i një spektri të gjerë dhe kreativ incentivash financiare, të cilat inkurajojnë sipërmarrjet dhe punësimin të të rinjve si në mënyrë direkte ashtu dhe nëpërmjet kreditimit të butë.

Leskaj: Pango nuk mund të ketë më imunitet

Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha dje se Pango nuk mund të mbrohet më me imunitet.

“Kryeministri njoftoi dje se shkarkoi ministrin e turpit, po kryeministri në vend që t’i lërë të hapur rrugën që ish-ministri të mund të bëjë shpjegime jo më si ministër, siç deklaroi, duhet t’iu kërkoj ndjesë shqiptarëve për ministrin që iu ofroi. Kjo është prova tipike se si mazhoranca të papërgjegjshme ndërtojnë qeveri të mbështetura jo mbi vlerat dhe moralin.

Nëse mbrëmë kjo çështje ishte çështje e një ministri, sot kjo është çështje e parlamentit, i cili duhet të mbajë një qëndrim, për një deputet që ka kryer veprën e turpit.

Ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal për veprën e kryer.

Nëse këtu nuk mbahet qëndrim për këtë rast, kur është shkelur komplet shteti, kur është tronditur tërësisht besueshmëria tek institucionet, kjo është çështje e të gjithëve e jo më e një njeriu”, - tha Leskaj. “Pas kësaj që njerëzit panë dje, edhe pse për ta nuk ishte e paditur, pyetja shtrohet kush është standardi i rekrutimit në shërbimin civil, të cilit pas nepotizmit e klientelizmit ekonomik iu shtua dhe molestia.

Kush është ajo e re që do marrë kurajën të shkojë në dyert e ministrive? Kush është ai prind që do jetë i qetë për vajzën që kërkon një vend pune apo çfarë vlere i mbetet ligjit të shërbimit civil?

Ne kërkojmë që gjërat të ndahen sot, jo nesër. Nuk mund të jenë përfaqësues të popullit në Kuvend njerëz të tillë”, - vijoi më tej Leskaj.

Ulqini: Skandal mënyra se si trajtohen profesionistët që kërkojnë punë

Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini, tha se një tjetër skandal që rrethoi çështjen Pango ishte dhe mënyra se si trajtohen punëkërkuesit e shkolluar dhe me nivel intelektual në Shqipëri.

“Një skandal ishte sjellja e qeverisë Berisha ndaj qindra e mijëra ekspertëve e profesionistëve të vërtetë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit dhe të trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarëve dhe të taksapaguesve evropianë dhe amerikanë, të cilët u hoqën në kundërshtim me çdo rregull dhe ligj dhe u zëvendësuan në një masë të madhe me militantë partiakë dhe të paaftë duke dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e qeverisjes. Ky skandal u thellua dhe më tej, kur entet shtetërore dhe sot e kësaj dite nuk pranojnë të ekzekutojnë vendimet e formës së prerë të gjykatave për kthimin në punë të një shumice të madhe të ekspertëve dhe administratorëve profesionistë të pushuar nga puna në kundërshtim me ligjin”, - tha Ulqini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›