E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët shprehin shqetësim për procesin e pajisjes me karta identiteti

Nga Armand Maho

Ndërkombëtarët kanë shprehur dje hapur shqetësimin e tyre në lidhje me situatën, në të cilën ndodhet pajisja me karta identiteti e qytetarëve.

Ambasadori i prezencës së OSBE, Robert Bosch, ishte bashkë me zv/ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, në një nga njësitë vendore për të parë nga afër pajisjen me karta identiteti të qytetarëve. Bosch tha dje se qytetarët duhet të nxitojnë dhe të aplikojnë, për shkak se ritmi është i ulët.

Sipas tij, kapaciteti i punës është i madh, por qytetarët nuk po vijnë.

“Ne, si OSBE, jemi të interesuar për të pasur zgjedhje të lira e të mira, e për këtë arsye jemi të interesuar gjithashtu që njerëzit të vijnë sa më shpejt të jetë e mundur për t’u pajisur me karta identiteti. Me sa shoh, aktualisht punonjëset e kësaj zyre nuk janë të gjitha të zëna, si dhe nuk ka radhë të gjata. Në këtë zyrë ka pesë fronte pune dhe po aplikojnë vetëm dy qytetarë. Njerëzit nuk po vijnë aq shpejt sa duhet, pra ka më shumë kapacitet se ata që vijnë, në një kohë kur procedura e aplikimit zgjat vetëm pesë minuta”, - tha Bosch.

Sipas tij, aplikimi është një detyrë e çdo qytetari në një vend demokratik.

“Të gjithë qytetarët duhet të vijnë në zyrat e aplikimit sa më shpejt që të jetë e mundur për të përmbushur detyrat e tyre si qytetarë të këtij vendi, sepse të votuarit është ende një detyrë e një qytetari të një vendi demokratik”, - tha Bosch.

Nga ana e tij, zv. ministri Poni i shpjegoi ambasadorit Bosch mënyrën e aplikimit e i tha atij se në zyrat e aplikimit punohet deri në orën 21:00 të mbrëmjes.

“Duke theksuar se tashmë procesi është në një fazë të konsoliduar”, - tha Poni.

Zv/ministri Poni u shpreh se është i domosdoshëm interesimi maksimal i qytetarëve, të cilëve u bëri thirrje të shkojnë për të aplikuar, pasi ekzistojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për aplikim dhe koha për të aplikuar është mjaft e shkurtër.

“Deri në datën 15 mars procesi do të shtrihet edhe te të gjitha komunat me popullsi mbi 5 mijë banorë e më tej do të vijojë edhe në komunat më të vogla”, - tha zv/ministri Poni.

Ai lëshoi dhe akuza në drejtim të opozitës, se ajo po deformon procesin e aplikimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›