E Diel, 1 Nëntor 2026

Spekulimet ballkanike për integrimin në BE

Nga Augustin Palokaj

BE ka ngadalësuar procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit në integrimet evropiane, ndërsa liderët nga Ballkani vazhdojnë të spekulojnë me data joreale. Grupit të liderëve joseriozë nga Ballkani u është bashkëngjitur edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, duke prognozuar se Shqipëria do të bëhet anëtare e BE në vitin 2012. Pas Kroacisë, vështirë se do të hyjë në BE ndonjë shtet i Ballkanit para vitit 2020. Bashkimi Evropian kremton 5-vjetorin e zgjerimit të madh, kur më 1 maj në BE u anëtarësuan përnjëherë dhjetë shtete, kryesisht të Evropës Lindore, ndërsa tre vjet më vonë edhe dy që ngelën në atë klasë: Bullgaria dhe Rumania. Sipas rezultateve që nxjerr BE, ky zgjerim ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm, shkëmbimi tregtar në mes të vendeve të vjetra dhe të reja të BE është rritur nga 175 në 700 miliardë euro në vit, ndërsa prognozat e zeza, se tregun e punës në vendet e vjetra do ta vërshojnë valët e fuqisë së lirë punëtore nga vendet e reja, nuk janë realizuar. Kësaj i duhet shtuar edhe zgjerimi i zonës së paqes dhe prosperitetit pas rënies së Murit të Berlinit para njëzet vjetësh. Këto arsye do të duhej të shfrytëzoheshin si argumente për vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE. Por nuk është kështu. Zgjerimi ka krijuar një lodhje dhe tash Ballkani Perëndimor mund të kënaqet me ndonjë heqje vizash, por duhet të llogaritë në një rrugë të gjatë, derisa ndonjë shtet të bëhet anëtar i BE. Dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje për bllokadën që Sllovenia i ka bërë Kroacisë, atëherë i tërë Ballkani mund të përshëndetet me integrime në BE, sepse në këtë mënyrë Sllovenia do ta vërë një precedentë që do t’u shërbejë vendeve të Ballkanit ta pengojnë njëra-tjetrën. BE ka humbur interesin për Ballkanin. Për BE mjafton që në Ballkan të mos ketë luftëra më dhe gjithçka do të jetë në rregull. Për integrim në BE ka kohë. Holanda mendon se nuk duhet nxituar më me zgjerim. Gjermania ka porositur që, përpos Kroacisë, të mos ndodhë më asnjë hap rreth zgjerimit të BE. Një politikan gjerman madje thotë se “pas Kroacisë do të kalojnë së paku 10 vjet, derisa një shtet tjetër i Ballkanit të jetë afër BE”. As Franca nuk është shumë e interesuar për zgjerim. Britania e Madhe është, por ajo do që sa më shpejt të anëtarësohet edhe Turqia, gjë që ngre nervat në Berlin, Vjenë dhe Paris. Austria është më e sinqerta. Ata duan që Kroacia të jetë në BE dhe vendet e tjera të Ballkanit sa më shpejt, ndërsa Turqia kurrë. Si rezultat i kësaj presidenca çeke nuk mund të bëjë asgjë konkrete rreth Ballkanit pos të organizojë debate filozofike joformale. Kështu do të jetë këtë të hënë dhe kështu do të jetë edhe në fund të marsit në takim joformal të ministrave të Jashtëm. Sa u përket hapave - konkrete nuk ka. Kërkesa e Malit të Zi për anëtarësim nuk është në rend dite për t’u diskutuar. Shqipërisë i është thënë që të mos aplikojë për anëtarësim, sepse ka bërë një vetëvrasje politike me Ligjin e lustracionit dhe më askush nuk do ta mbështeste aplikimin e Shqipërisë. Serbia nuk po e përmbush kushtin e bashkëpunimit me Hagën, ndërsa Maqedonia ende është me status kandidati, por në vend të afrimit po largohet nga BE gjithnjë e më shumë. E Kosova nuk është shtet për BE, ndërsa Kroacinë e ka bllokuar Sllovenia.

Disa nga liderët e Ballkanit kanë harruar që tashmë jemi thellë në vitin 2009 e pos Kroacisë asnjë shtet i rajonit as që ka filluar rrugën drejt integrimit në BE. Prandaj janë shumë joserioze premtimet për integrim të shpejtë në BE. Duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e njerëzve të frustruar në Ballkan u beson premtimeve të tilla boshe, ato bëhen edhe më të dhimbshme, sepse qartë manipulojnë. Disa liderë të Kosovës thoshin se Kosova në vitin 2007 do të jetë në BE. Të tjerët thoshin pak më vonë, por jo shumë larg. Në Serbi flitej se ky vend do të marrë statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2008, ndërsa tash është e sigurt se këtë nuk do ta arrijë as në vitin 2009. Në anën tjetër, Serbia është afruar politikisht më shumë me Iranin sesa me Brukselin.

Shqipëria para dy muajsh është dukur si vend që ka më së paku probleme. Si vend që po hyn në NATO dhe mund ta shpejtojë edhe rrugën drejt BE. Por kanë ndodhur gjëra që kanë irrituar vendet e BE, si Ligji për lustracionin. Disa diplomatë madje e kanë quajtur këtë si “luftë shtrigash të atyre që nuk kanë pasur guximin ta bëjnë menjëherë pas rënies së komunizmit e po e bëjnë 18 vjet më vonë”. Në anën tjetër, shkrimet e medieve në Perëndim për afera korrupsioni ky dyshohet se kanë lidhje edhe politikanë nga pushteti kanë ngritur hezitimin për të mbështetur aplikimin eventual të Shqipërisë për në BE. E vetë Shqipëria vazhdon të ketë dyshime ndaj vetvetes dhe nuk ka gjetur ende guxim as të aplikojë. Prandaj duket qesharake deklarata e presidentit, Bamir Topi, se Shqipëria do të jetë në BE në vitin 2012. Ajo që po ndërtohet tash si qëndrim në elitën politike evropiane është se pas Kroacisë duhet të bëhet një pako dhe vendet e tjera të ecin si grup drejt BE, natyrisht duke u vlerësuar secila sipas meritave të veta. Në këtë mënyrë procesi do të fitonte një peshë më të madhe politike në BE nga sa ka tash për shembull procesi i negociatave me Kroacinë. Në anën tjetër pakoja do të ndihmonte që vendet si Serbia e Kosova të mos e pengojnë njëra-tjetrën. Fundi i fundit, mes vendeve të Ballkanit nuk ka aq shumë dallime në zhvillim dhe mund të hyjnë së bashku. Ndoshta do të mund të bëhej një formulë 4 plus 2, që së pari të hynin Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, e më vonë Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina si vende që nuk janë ende funksionale dhe u duhet, sipas vlerësimeve të Brukselit, më shumë kohë për t’u bërë gati për integrim në BE. Në këtë rast Serbia më parë do të duhej ta njihte shtetësinë e Kosovës dhe të obligohej që nuk do ta pengonte anëtarësimin e saj në BE.

E vetmja mënyrë se si Ballkani mund të rrisë oreksin e Evropës së lodhur që të ecë më shpejt me procesin e zgjerimit, është që të jetë më i suksesshëm në reforma. E ata që janë në pushtet në Ballkan nuk kanë nevojë aq shumë për reforma të sinqerta. Nuk kanë nevojë madje as për integrime evropiane, edhe pse e kanë gojën plot “integrime evropiane” sa për të manipuluar me opinionin e intimisht nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, sepse demokracia dhe sundimi i ligjit do t’ua prishnin planet. Prandaj është e vështirë të besohet në ndonjë ecje të shpejtë të vendeve të Ballkanit drejt BE dhe për këtë deklaratat dhe spekulimet me data të liderëve ballkanikë janë qesharake, nëse jo edhe tragjikomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›