Gjenerali gjerman Bentler merr komandën e KFOR-it në Kosovë

Gjeneral-lejtnant Markus Bentler nga Gjermania mori sot komandën e KFOR-it nga gjeneral-lejtnanti italian Giuseppe E. Gay, në këtë detyrë që prej 29 gushtit të vitit 2008. Në ceremoninë e zhvilluar në shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë morën pjesë edhe drejtuesit më të lartë të Kosovës. si dhe komandanti i Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, admirali amerikan Mark Fitzgerald. Aktualisht NATO-ja ka rreth 13.500 paqeruajtës ndërkombëtarë në Kosovë, por numri i tyre pritet të zvogëlohet deri në rreth 10 mijë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, vizitoi më 13 gusht Prishtinën, ku paralajmëroi reduktimin e forcave ndërkombëtare në Kosovë. "Kemi vendosur të reduktojmë numrin e trupave gjatë viteve të ardhshme, por do të doja të theksoja se ky vendim reflekton vetëm zhvillimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Ky vendim është i bazuar në kushte, që do të thotë se reduktimi do të ndodhë në pajtueshmëri me përmirësimin e vazhdueshëm në aspektin e sigurisë", pati deklaruar Rasmusen më 13 gusht, duke nënvizuar se nuk do të merret asnjë vendim që do të kishte ndikim negativ në sigurinë e Kosovës.
...