Ministria e Brendshme: Vijon puna për të ndihmuar banorët e zonës së Dibrës të cilët pësuan dëme nga tërmeti
Vijon puna për dhënien e ndihmës për sistemimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti i fortë i dy ditëve më parë në qarkun e Dibrës. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha sot se, Shtabi i Emergjencës Civile, i ngritur në prefekturën e Dibrës, është duke vijuar punën për sistemimin dhe strehimin e banorëve të zonës të dëmtuar si dhe duke iu shpërndarë atyre ndihmën e nevojëshme me materiale por, dhe veshje e ushqime për kapërcimin e situatës. Gjithashtu, Poni bëri të ditur se, grupet e punës janë orientuar dhe po punojnë edhe për vlerësimin e dëmit material të shkaktuar në banesat e banorëve në disa komuna të Dibrës me qëllim zhdëmtimin e dëmit dhe rikthimin e situatës në normalitet të plotë. Dy ditë më parë u regjistrua një tërmet me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter, me epiqendër në fshatin Gjoricë, 19 kilometra larg qytetit të Peshkopisë. Ndërsa, lëkundjet e forta u ndjenë në zonën veriore si dhe atë të qëndrore të vendit, përfshirë dhe Tiranën. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, nga tërmeti nuk ka patur të lënduar në njerëz, por, janë konstatuar disa shtëpi të dëmtuara plotësisht në komunën e Gjoricës dhe Ostrenit si dhe dëmtime të rënda e të lehta në disa banesa në komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht, në qarkun e Dibrës.
...