E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon në Vlorë legalizimi i 7000 objekteve, në proces edhe 1000 të tjera

Dega rajonale e Agjencisë të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në qarkun e Vlorës ka përfunduar procedurat për legalizimin e rreth 7000 objekte të ndërtuara pa leje. ndërsa ka në proces edhe 1000 të tjera, që pritet të mbyllen deri në fund të vitit. Drejtori rajonal i ALUIZNI-t, Roland Tafili, tha sot se: "proçesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Qarkun e Vlorës vazhdon me ritme të kënaqshme dhe është shtrirë në të gjithë territorin e qarkut në përputhje me strategjinë e hartuar nga Qeveria". Sipas tij, gjatë periudhës së verës u realizuan procedurat për rreth 700 objekte, kryesisht banesa të emigrantëve, kërkesat e të cilëve u trajtuan me përparësi. Aktualisht, po vazhdon puna në terren për përpunimin e të dhënave ndërsa me të njëjtin ritëm po kryhen procedurat edhe për fazat e tjera deri në rregjistrimin e objekteve pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjatë muajve të fundit ka ardhur në rritje interesimi i qytetarëve, që reflektohet në shlyerjen e detyrimeve përkatëse, veçanërisht në tarifën e shërbimit, që përkon me fazën e parë të proçesit, atë të kualifikimit të objekteve dhe përfshirjen e tyre në legalizim. Në rrethin e Vlorës kanë përfunduar deri tani procedurat e rregjstrimit për mbi 500 objekte pa leje, ndërsa pritet që shumë shpejt numri të dy e trefishohet. Procesi i formalizimit të ndërtimeve pa leje zë peshën specifike më të madhe në reformën e pronësisë, e ndërmarrë nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit. Për këtë qëllim, janë ndërtuar instrumentet e nevojshme ligjore, teknologjike dhe administrative, që garantojnë një proces që sjell stabilitet në marrëdhëniet e pronësisë si dhe çertifikon për qytetarët përfitues, titujt e pronësisë në përputhje me standardet e vendeve të përparuara. Kostoja financiare e legalizimit për qytetarët, sipas specialistëve, llogaritet të jetë 10-20 herë më e ulët, krahasuar me tregun. Proçesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, përfshin disa faza, mes të cilave, kualifikimit të objekteve, dhënien e lejes së ndërtimit, kalimit në pronësi të truallit, dhënien e dokumentit të legalizimit dhe regjistrimit. Për periudhën 2006-2009 në shkallë qarku kanë përfunduar procedurat e kalimit të pronësisë për 3505 parcela tokë, me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 1.2 milionë metra katrorë. Në këtë Qark janë evidentuar rreth 23 mijë ndërtime pa leje, prej të cilave vetëm në qytetin e Vlorës, 13 mijë në një sipërfaqe prej 1446 hektarë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›