Lavrov dhe Klinton flasin për reduktimin e armëve bërthamore
Hillary clinton dhe Sergei Lavrov kanë dhënë një konferencë për shtyp në të cilën ata folën për marrëveshjen e reduktimit të armëve të shkatërrimit në masë. Sekretarja amerikane e shtetit e cila ndodhet në një vizitë zyrtare në Rusi, u shpreh se përsa i përket kësaj marrëveshje kishin mbetur vetëm disa pika që të bëhet i mundur finalizimi i saj.
"Negociatat tona kanë qenë shumë të suksesshme. Të dy palët kanë rënë parimisht dakort për pikat kryesore të marrëveshjes. Për këtë marrëveshje na duhet thjesht që të qartësohemi për disa çështje teknike."- u shpreh ish-zonja e parë e SHBA-së.
Vitin e kaluar dy presidentët Obama dhe Medvedev ranë parimisht dakort që të rinovohej marrëveshja e reduktimit të armëve të shkatërrimit në masë e cila ishte nënshkruar nga të dyja superfuqitë botërore në vitin 1991.
Gjatë konferencës për shtyp sekretarja amerikan e shtetit nuk dha një datë konkrete për afatin ose datën kur do të nënshkruhet marrëveshja e ardhshme mes Rusisë dhe SHBA-së.
"Nuk mund të japim një datë konkrete për finalizimin e kësaj marrëveshje tepër të rëndësishme. Unë diskutova me ministrin Lavrov dhe ai më pohoi se do mund të jepeshin afate paraprake për të kushtëzuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë."- pohoi Clinton.
Gjatë takimit që u krye përpara konferencës për shtyp mes Hillary Clinton dhe zyrtarëve më të lartë rus, presidentit Medvedev dhe ministrit të jashtëm, Lavrov u diskutua edhe për sanksionet e mundshme ndaj Iranit.
"Irani është duke e humbur shansin për dialog me komunitetin ndërkombëtar dhe disa sanksione të përcaktuara qartë mund të rezultojnë të pashmangshme", u shpreh gjatë takimit ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Por ministri i jashtëm rus qartësoi se programi bërthamor i Iranit nuk ishte një rrezik dhe kërcënim i madh për botën.