Danimarka: Ligji, hap prapa për Shqipërinë
Nëse nuk arrini standardet, ju nuk mund të bëheni një anëtar i BE-së"
TIRANË- Diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë, duket se janë pozicionuar të gjithë kundra ligjit "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve", njohur ndryshe si ligji për dosjet.
Pas shqetësimit për efektet që do të sjellë ky ligj të Bashkimit Evropianë, Këshillit të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka mbetur pothuajse asnjë ambasador pa u sensibilizuar me këtë qëndrim.
Dje, ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, në një intervistë televizive, është pozicionuar publikisht kundër ligjit të lustracionit. Diplomati më i lartë danez në vendin tonë, ka rishprehur edhe një herë kundërshtinë e faktorit ndërkombëtar ndaj ligjit, kur ka theksuar se ky ligj është një hap prapa për vendin.
"Mendoj se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Por, fatkeqësisht, së fundmi, kemi parë atë që do ta quaja hap prapa, para së gjithash me ligjin e lustracionit. Çdokush në komunitetin ndërkombëtar e kupton se është e nevojshme një ndarje me të kaluarën. Kjo është një gjë shumë e mirë.
Por, një gabim nuk mund të kurohet duke bërë një gabim tjetër",- u shpreh Jensen. Madje ai shkon edhe më tej në analizën e vet, duke e konsideruar se ligji në fjalë, në rast se zbatohet në këtë mënyrë si është miratuar, do të ketë pasoja për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Kjo për vetë faktin se ligji i "dosjeve" bie ndesh me parimet kushtetuese dhe nuk përmbush standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar.
"Sipas nesh, ligji nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe sipas eksperteve tanë, disa nene të ligjit nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit. Dhe sigurisht, nëse ju nuk arrini standardet ndërkombëtare, ju nuk mund të bëheni një anëtar i Bashkimit Europian. Anëtarët e komunitetit ndërkombëtar kanë bërë paralajmërime për këtë, duke shpresuar që ligji do të përmbushë standardet, por fatkeqësisht, të paktën deri tani, nuk ka asnjë ndryshim. "Unë këtë e shikoj si një hap prapa", - theksoi ambasadori Jensen. Pavarësisht kritikave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë reagim pozitiv, duke u shprehur e vendosur për zbatimin e ligjit, ashtu siç edhe u miratua në Kuvend.