Italia e ëndrrave shkon në finale Baloteli gjunjëzon Gjermaninë!
ITALI 2
Shënues: Baloteli 20, 36 / Ozil 91 (pen)
Gjermania: Nojer, Boateng (T.Myler 71), Humels, Badshtyber, Lahm, Shvajnshtaiger, Khedira, Kros, Ozil, Podolski (Rojs 46), M.Gomez (Kloze 46). Trajner: Lëv.
Italia: Bufon, Balzareti, Barzalji, Bonuçi, Kielini,De Rosi, Pirlo, Markizio, Montolivo (Mota 63), Kasano (Diamanti 58), Baloteli (Di Natale 68). Trajner.: Prandeli.
Gjyqtar: Lanoi (Fra)
Kartonë të verdhë: Baloteli, Bonuçi, De Rosi, Mota, Humels
Dy gola nga SuperMario i japin axurrëve fitoren në gjysmëfinalen e Varshavës ndaj Gjermanisë, e cila shënoi vetëm në fund me 11-metërsh. Itali-Spanjë, finalja e Euro 2012
Pas 12 vitesh, Italia e sheh veten në finalen e një Europiani. Një arritje e madhe që erdhi pas fitores 2-1 kundër Gjermanisë në gjysmëfinalen e luajtur mbrëmë në Varshavë, pas një loje shumë të mirë të italianëve. Baloteli ishte njeriu gol, pasi shënoi me kokë pas asistit të Kasanos në minutën e 20-të dhe të 36-të, herën e dytë pas pasimit të Montolivos.
Në pjesën e dytë Italia pati shumë raste për të shënuar golin e 3-0, por shënon Gjermania me penallti me Ozil në minutën e 91-të, por nuk mjafton. Të dielën finalja është Itali-Spanjë. Një arritje e pabesueshme. Është shkruar edhe herë të tjera se në vitin 1970, 1982, 2006 sukseset ishin të pabesueshme, dhe ja prapë po përsëritet.
Dhe në fund ja ku jemi, me Italinë në finale dhe që fiton ndeshje të mëdha, që kthen në shtëpi Gjermaninë, që arrin në finale duke çmendur tifozët e saj. Askush nuk kishte qenë mosbesues në fillim të ndeshjes, por të paktë ishin ata që imagjinonin që fitorja do të vinte e pastër, një ndeshje me tru, me talent dhe zemër.
Gjermania u mposht në të gjitha pikëpamjet: faktikisht, teknikisht, për të paktën 70 minuta edhe fizikisht, çka është edhe terreni ku superioriteti ishte më pak i diskutueshëm, duke marrë në konsideratë edhe dy ditët më shumë të pushimit, ndërsa Italia kishte luajtur në shtesë kundër Anglisë. Itali-Gjermani vazhdon të jetë që prej shumë vitesh një sfidë e madhe, fantastike.
Bufon, për çudi, e nisi ndeshjen me dy gabime që mund ti kushtonin rëndë Italisë: së pari nga goditja e këndit dhe më pas një gjuajtje kros e Boateng, të cilat sollën edhe largimin e topit në vijë fatale nga Pirlo dhe një thuajse autogol e Barxaljit.
Me kalimin e minutave, Italia nis të fitojë besimin te vetja dhe nis të godasë portën e Nojerit, kurse në minutën e 20-të është momenti kulmor.
Kasano shmang Humelsin dhe e dërgon topin te Baloteli: një gol shumë i bukur me kokë, tamam një realizim sulmuesi, 30 centimetra mbi Badshtyberin. Ky gol shumë i bukur i jep besim edhe më të madh skuadrës italiane, e cila luan shumë më mirë që nga ai moment.
Italia është e kujdesshme në portë, bën pasime të shpejta dhe të sakta në mesfushë, furnizon me topa sulmuesit dhe në një aksion të tillë, me autor Montolivon, topi shkon te Baloteli pas shpinës së Lahm. Aty Mario nuk e ka të vështirë të kontrollojë topin dhe të gjuajë fort.
Lëvit nuk i mbetet asgjë përveçse të hedhë poshtë bindjet e fillimit të ndeshjes dhe të bëjë ndryshime në formacion. Që në fillim të pjesës së dytë largohen Podolski e Gomez, Rois kalon në krah të djathtë ndërkohë që Klozes i ngarkohet detyra të ndjekë Balotelin.
Gjermania në fakt nis të tregojë një tjetër lojë, duke bërë presing, duke ecur përpara me mesfushën, kurse Italia nis të paguajë lodhjen e 45 minutave të para.
Nisin të dorëzohen duke ngritur flamurin e bardhë edhe lojtarë si Kasano dhe Montolivo, kurse Prandeli fut në lojë ata që mund të rrisin lojën e ekipit, domethënë Diamanti dhe Tiago Mota. Ishte piëkrisht Rois që i frikëson të gjithë me gjuajtjen e lirë dhe që Bufon e dërgon në traversë. Loja është në minutat e fundit dhe Italia duhet të bëjë çmos që ta përballojë.
Shpesh Italia i bën ndërrimet shpejt, (Baloteli dorëzohet nga ngërçi, Di Natale sapo ka hyrë kur Super Mario merr veten), kështu që Italia është si një përzierje e lojës mbrojtëse dhe sulmeve për të gjetur ndonjë hapësirë me undërsulm në mbrojtjen e fortë gjermane.
Gjermania megjithatë duhet mbajtur mend për këtë ndeshje, kurse Italia në momentet e fundit lë për të dëshiruar dhe nuk kalon shumë dhe në minutën e 90-të është Ozil që shënon me penallti, pasi Balxareti prek topin me dorë në zonë.
Ozil nuk gabion, ndërkohë që edhe portieri Nojer vjen në sulm për të ndihmuar shokët. As edhe një gjigant si ai nuk mund ta ndërrojë një ndeshje që është shkruar të fitojë Italia: 4-3, 3-1, 2-0, 2-1, ky është ligji i shifrave të mëdha.
