E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjergji ynë

Shkelzen Maliqi

Pas zgjedhjeve lokale,
ndonëse partia e tij doli fituese, Kryeministri i Kosovës përjetoi një erozion të papritur të ndikimit, madje edhe një ngrysje mjaft të madhe të imazhit publik...
Aty ku ai tregonte vigjilencë të madhe, në kontrollin e mediave me mjete të ndryshme, gjatë pranverës ai humbi njëra pas tjetrës shumicën e betejave publike. Dëmet më të mëdha iu shkaktuan për shkak të hezitimeve dhe vonesave në atë që quhej Riformatizimi i Qeverisë dhe pastaj edhe hezitimet dhe vonesat në pozicionimin e qartë ndaj korrupsionit dhe krimit. Në të vërtetë, më vonë do të sqarohet se këto dy vonesa kanë qenë të ndërlidhura thelbësisht: EULEX-i e kishte kushtëzuar Riformatizimin e Qeverisë me largimin e disa ministrave, ndaj të cilëve po zhvilloheshin hetimet për korrupsion, ndërkaq që pozicionimi në luftën ndaj korrupsionit, po kështu kushtëzohej me kujdesin që largimi i ministrave të dyshuar të mos ketë për pasojë dobësimin e pozitës së vetë Kryeministrit, dhe këto jo vetëm në Qeveri, por edhe në partinë e tij.
Konfuziteti i sjelljeve të Kryeministrit në dy frontet, provokoi reagime të ashpra të opozitës, por edhe të gazetarëve e opinionistëve të pavarur të brezit më të ri, me pikën kulmore të një letre të hapur të Agon Maliqit, e botuar nga "Zëri", që pati jehonë dhe qarkullim të jashtëzakonshëm përkrahës, ngase aty, pa "doreza" konstatohej se Kosova po udhëhiqet nga një "Kryeministër zero". Një sulm i ngjashëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile ishte artikuluar edhe në deklaratën e Ilir Dedës, të cituar nga "Economist", ku vetë Qeveria cilësohej si majë e krimit të organizuar. Për këtë deklaratë të Dedës, Kryeministri mendohej që të ngrite padi për ofendim (që nuk e bëri), ndërkaq që zëdhënësit e tij patën reagime plot nerva dhe kërcënime, por që edhe ato nuk u thelluan më tej.
Por, ky trend i ngrysjes së imazhit të Kryeministrit, do të fillojë të zbardhet me fillimin e verës, kur ai arriti disi, që ngadalë ta kapërcejë ngushticën/kurthin e të qenit mes Skilës dhe Karibdës: Skilës së stabilizimit të koalicionit të luhatur qeveritar dhe të Karibdës së pozicionimit më të qartë, ndonëse ende kryesisht retorik, në krye të luftës kundër korrupsionit.
Tek Riformatizimi "hezitues", Kryeministri ka arritur që të integrojë dy krahët e partnerit në pushtet, LDK-së, duke futur në Qeveri dy nga kritikuesit më të zëshëm të tij gjatë fushatës zgjedhore, Lufti Hazirin dhe Bujar Bukoshin. Kjo "zbutje" e mençur e LDK-së, pati për pasojë shpartallimin imediat të ambicieve të opozitës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj agil, që të çahet koalicioni në pushtet dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Kampanja e Ramush Haradinajt dhe Blerim Shalës, pas kësaj shndërrohet në një retorikë boshe, që po i kthehej edhe vetë AAK-së si "bumerang". Pa programin pozitiv, që do të artikulohej me alternativa reale dhe të kapshme të një "qeverisjeje ndryshe", kritikat e tyre të përsëritura radikale, se kemi të bëjmë me një Qeveri të bankrotuar, dukeshin gjithnjë e më shumë vetëm si një lakmi për pushtet, karshi asaj matematike bindëse, se koalicioni i dy partive më të mëdha në të vërtetë është garantuese e stabilitetit të vendit. Dhe më në fund, pasi që Tribunali i Hagës bëri një kthesë të papritur dhe vendosi të vazhdohet gjykimi ndaj Haradinajt për krimet e luftës, Kryeministri dhe Qeveria aktuale mbeten pa rivalin dhe sfiduesin e tyre kryesor, duke vulosur kështu një formulë të paevitueshme të stabilitetit. Qeverisja aktuale thjesht nuk ka alternativë.
Tek hezitimi tjetër që kishte Kryeministri për largimin e Fatmir Limajt nga posti i ministrit dhe që fillimisht dukej si një konfrontim dhe komprometim i panevojshëm me ndërkombëtarët, rastësisht apo falë intuitës politike që kishte, edhe këtu, Kryeministri do të dalë me bilanc pozitiv. Po të largonte Fatmir Limajn ashtu siç insistonte Piter Feith, para gjashtë muajsh, dhe pa zbardhur provat e hetimeve të Prokurorisë për korrupsion në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, Kryeministri rrezikonte një çarje në PDK, ku Limaj gëzon autoritetin e njeriut të dytë dhe me ndikim të madh. Duke mos e larguar Limajn, Kryeministri ka ndërtuar një strategji në dukje kontradiktore të mbrojtjes dhe njëkohësisht të dorëzimit të tij të gjykimit të drejtësisë. Duke u nisur nga parimi se askush nuk mund të shpallet fajtor para se kjo të mos dëshmohet me prova, ai ka arritur që të bindë ndërkombëtarët, se nuk ka problem nëse ministri në hetime mbetet në krye të MTPT-së, por njëkohësisht parimisht është pozicionuar edhe në krye të luftës kundër korrupsionit, praktikisht duke hequr dorë nga mbrojtja e pakusht e Limajt apo e secilit tjetër ministër a bartës i funksioneve publike, që po hetohen nga EULEX-i. Kjo premton që karshi forcimit të pozitës së tij ndaj opozitës, ai tani po provon që të forcojë edhe pozitën në PDK, ku deri tashmë ka qenë më shumë i pari mes disa të barabartëve, e tani pretendon rolin e autoritetit kryesor.
Në fund të këtij tregimi për ndryshimet në sjellje dhe perceptime, Kryeministrit i kanë shkuar në favor edhe zhvillimet në raportet ndërkombëtare, me dy "autogola" që ka shënuar Serbia në Këshillin e Sigurimit dhe GJND. Një përmirësim të imazhit, jo vetëm në pjesën besnike të elektoratit të tij, por mbase edhe më gjerë, Kryeministri ka përjetuar gjatë vizitës së fundit në SHBA, kur zëvendëspresidenti Baiden, atë e quajti George Washington të Kosovës. Ky cilësim i hap shanset Kryeministrit Georgit ose Gjergjit tonë, që ta rikuperojë plotësisht imazhin, por është edhe sfidë historike për përmirësimin e performancës së tij. SHBA, por besoj edhe BE, kanë gjetur tek Gjergji i kohës sonë figurën kryesore të shtet-ndërtimit dhe stabilitetit, që mbase mund të krahasohet me atë të Ibrahim Rugovës në vitet '90, kur luante rolin e udhëheqësit të lëvizjes për pavarësi, i favorizuar nga Perëndimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›