E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylykbashi në vend të Skelës, mungon Basha



Josip Kuzhe ka shpallur listën e Kombëtares për ndeshjen miqësore ndaj Uzbekistanit, takim i cili do të luhet më 11 gusht në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Bie në sy mungesa e Ervin Skelës, i cili ashtu sikundër pat lajmëruar gazeta “Panorama Sport” tre ditë më parë, nuk ka pranuar ftesën e trajnerit të përfaqësueses shqiptare. Arsyeja: lojtari është ende pa skuadër dhe në këtë gjendje nuk është ndjerë qoftë moralisht, por edhe fizikisht i aftë për t’u grumbulluar me ekipin për këtë ndeshje. Mësohet se Skela i ka pohuar vetë Kuzhesë para disa ditësh, se nuk do të vinte për ndeshjen ndaj Uzbekistanit, duke e konsideruar veten “të tepërt”, përderisa nuk ka gjetur skuadër për sezonin e ri futbollistik. Ftesa ndaj fantazistit të Kombëtares qe dërguar në adresën e klubit të TuS Koblenzit, skuadra e fundit për të cilën ka luajtur Skela.
Bylykbashi - Menjëherë pas refuzimit nga ana e vlonjatit, Kuzhe është vënë në lëvizje duke grumbulluar Dorian Bylykbashin, lojtar të cilin e pat thirrur edhe vitin e kaluar, sapo kroati kishte marrë drejtimin e Kombëtarës shqiptare. Gjithsesi, edhe Bylykbashi është në “ujëra të turbullta” përderisa nuk ka gjetur definitivisht skuadrën me të cilën do të aktivizohet për sezonin e ri. Mesfushori rezulton si lojtar i Dnjepër për në Kampionatin ukrainas të futbollit, por realisht, ai sikundër edhe Bulku janë “de fakto” të larguar nga ky klub dhe tani thjesht po negociojnë për zgjidhjen e kontratës dhe marrjen e dokumentacionit. Bylykbashi kërkohet nga Dinamo dhe me gjasa do të firmosë për këtë ekip, ndërsa Bulku ka snobuar sërish Kampionatin shqiptar, duke shpresuar në një kontratë jashtë. Veç tyre, në “ditë të hallit” janë edhe Klodian Duro e Gilman Lika, dy lojtarë këta që nuk kanë momentalisht skuadër. Që të dy mendohet se do të rikthehen në Shqipëri, pasi një ardhme e tyre në kampionatet e huaja duket mëse e zymtë.
Basha - Edhe pse u përfol shumë, madje edhe vetë trajneri i Kombëtares në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” para disa ditësh theksonte se kishte fjalën e futbollistit, përsëri Migjen Basha nuk është thirrur për ndeshjen e 11 gushtit. Shefi i Marrdhënieve me Median në FSHF, Tritan Kokona, i pyetur lidhur me mosgrumbullimin e kosovarit, nuk ka dhënë asnjë shpjegim. “Po çfarë pyetje është kjo?! Pyesni trajnerin kur të vijë”, - ka pohuar Kokona. Ndërkohë, mendohet se shkak mund të jetë mospajisja në kohë e lojtarit me pasaportë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›