AKKP: Gati 15 milionë USD për ish-pronarët
Pas datës 11 gusht do të fillojë shpërndarja e këstit të parë për 2 mijë ish-pronarët, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, tha dje për gazetën se në datën 11 gusht përfundon afati 1 mujor i aplikimeve për pronarët e prekur nga legalizimet, e më pas do të nisë shpërndarja e parave për ta. Sipas Cefës, janë bërë përllogaritjet dhe 2 mijë përfituesit e listës do të marrin këstin e parë në masën 21.8 për qind të shumës që ata duhet të përfitojnë si kompensim. "Në datën 11 gusht përfundon afati i aplikimit të përfituesve. Pas kësaj date, AKKP-ja ka një afat prej 45 ditësh për të bërë verifikimin e gjeneraliteteve të aplikuesve dhe më pas nis shpërndarja e këstit të parë. Nuk është e thënë që AKKP-ja të konsumojë të gjithë afatin prej 45 ditësh për verifikim. Kësti i parë paraprak për subjektet do të jetë 21.8 për qind e vlerës totale, e parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave", - tha Cefa për "Panorama". Ai vijoi më tej se fondi i vënë në dispozicion është 1.5 miliardë lekë ose 15 milionë dollarë. Drejtori i AKKP-së kujtoi se do të vijojë mbledhja e aplikimeve deri në datën 11 gusht. "Fondi për Kompensimin Financiar të ish- pronarëve me këstin e parë është mbi 1.5 miliardë lekë të reja. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pret aplikimet deri më datën 11 Gusht", - shtoi Cefa. Pas kësaj date do të nisë një verifikim për aplikuesit. Brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit për paraqitjen e kërkesës për kompensimin e pronës, verifikon legjitimimin e kërkuesit për çdo kërkesë për kompensimin e pronës si dhe kontrollon dokumentacionin e paraqitur nga subjekti përfitues. Njëkohësisht, do të verifikohen të dhënat e tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse dhe më pas do të hartohet relacioni, në të cilin do të propozohet kalimi i shumës në numrin e llogarisë bankare përkatëse, si dhe harton listën e subjekteve që kompensohen. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, në përfundim të procesit të verifikimit nga grupi i punës nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare, në të cilën do të derdhet vlera e kompensimit; urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen si dhe njofton kërkuesin, i cili nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes. AKKP-ja kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi, për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.