Mitrojorgji: Xoxe urdhëroi t’i fusnim një grua Myslim Pezës për provokacion
Në këtë numër të dytë “Panorama” vë në dispozicion të lexuesit disa dëshmi të rëndësishme në gjyqin ndaj Koçi Xoxes, të dhëna nga të akuzuarit e tjerë bashkë me të, si dhe të disa dëshmitarëve. Në këto dëshmi konfirmohet edhe një herë mënyra kriminale e funksionimit të sistemit komunist shqiptar, ku për të arritur dominimin në krye të udhëheqjes partiake e shtetërore, përdoreshin edhe metoda të komplikuara ndaj kundërshtarëve, si për shembull infiltrimi i femrave, por më shumë dominonin metodat barbare të torturave çnjerëzore ndaj të gjithë llojeve të kundërshtarëve. Pjesët e mëposhtme janë shkëputur nga libri i sapo botuar i studiuesit të historisë, Kastriot Dervishi, me titull “E vërteta e fshehur e një procesi” dhe nëntitull “Gjyqi i Koçi Xoxes, lidhjet e tij me Enver Hoxhën”.
Marrja në pyetje e Vangjo Mitrojorgjit
Kryetari: Duke iu drejtuar të pandehurit Vangjo Mitrojorgji, e pyet nëse ka marrë aktin e akuzës dhe nëse e pranon akuzën që i bëhet?
Vangjo Mitrojorgji: E pranoj pjesërisht akuzën. Nuk jam dakord me përmbajtjen e akuzës, për sa i përket çështjes së veprimit me ndërgjegje dhe të asaj që të kem qenë anëtar aktiv i këtij grupi.
Prokurori: A kishe ti ndonjë përgatitje për punën e Sigurimit dhe a të dha Koçi Xoxe ndonjë direktivë?
Vangjo Mitrojorgji: Unë nuk kisha asnjë eksperiencë për punët e Sigurimit dhe Koçi nuk më dha me këtë rast ndonjë direktivë...
Vangjo Mitrojorgji: Po, unë urdhra kam dhënë për arrestime dhe për tortura. Torturat ishin sistem në hetuesi dhe marifet tjetër nuk dinim.
Prokurori: A kishit urdhër nga lart që të vazhdonit torturat?
Vangjo Mitrojorgji: Ndonjë urdhër të shprehur nuk kishim, por derisa torturat vazhdonin dhe nuk ndaloheshin, kjo donte të thoshte për neve se në këtë rrugë duhej të vazhdonim. Një rast specifik di atë të Syrja Selfos, kur erdhi Vaska e më tha se ishte urdhri i Koçi Xoxes që t’i bëheshin këtij të gjitha llojet e torturave për ta bërë që të fliste. Në fakt, Syrja Selfos iu bënë të gjitha llojet e torturave. Ai akuzohej se ishte në Qarkorin e Organizatës së Ballit.
Prokurori: A i ke drejtuar ndonjë pyetje rreth udhëheqësve Syrja Selfos, sidomos rreth komandantit, pasi ky ishte nga Gjirokastra?
Vangjo Mitrojorgji: Nuk i kam drejtuar ndonjë pyetje në lidhje me ndonjë udhëheqës Syrja Selfos. Koçi Xoxe, sigurisht mund të ketë pasur ndonjë qëllim dhe këtë e di nga praktika me të burgosurit e tjerë, të cilët pyeteshin rreth udhëheqësve, por Syrja Selfon nuk e kam pyetur...
Prokurori: ç’di ti për arrestimet në masë?
Vangjo: Në kohën kur zhvilloheshin proceset e grupit të deputetëve dhe të organizatës tekniko-intelektuale, Koçi na ka thirrur në shtëpinë e tij dhe na kërkoi propozime për të arrestuar dhe ne i paraqitën një listë prej 60 vetash, për aq sa kishim material. Koçi, me këtë rast na tha se tani është momenti të bëhet një spastrim, duke kërkuar që të arrestoheshin më shumë, por ne i thamë se nuk kishim material, por ai atëherë nxori nga xhepi një listë me 20 emra dhe kur i thamë ne se nuk kemi edhe për këta material, ai na u përgjigj se jemi teveqela, se materiali do të dilte nga proceset. Atëherë, neve e shtuam numrin e atyre që u arrestuan, duke e ngritur në 120 veta.
Prokurori: Në ç’mënyrë do të dilte nga proceset ky material që kërkonte Koçi Xoxe?
Vangjo Mitrojorgji: Natyrisht do të dilte nga torturat që do të përdoreshin kundrejt të arrestuarve dhe efektivisht asgjë nuk doli si material, sepse kur u kthyem ne nga BS-ja, ata nuk ishin dërguar ende në gjyq.
Prokurori: Ke përgjegjësi ti për këtë punë?
Vangjo Mitrojorgji: Mua për pjesën time nuk më vjen ndonjë përgjegjësi, sepse për seksionin tim nuk shtova tjetër njeri, përveç atyre që ishin në listën e parë dhe për të cilët kish material. Jam fajtor për ato 20 veta që propozoi Koçi dhe ne i pranuam.
Prokurori: A e ke përdorur ti sistemin e sugjerimit në hetuesi?
Vangjo Mitrojorgji: Ka pasur raste që Paskal Andoni kish përdorur sugjerime në hetuesi, por unë i kam thënë se nuk duhej përdorur ky sistem në hetuesi.
Prokurori: A ke përdorur si sistem hetuesie provokacionin?
Vangjo Mitrojorgji: është përdorur tortura dhe sugjerimi në hetuesi, për provokacion nuk di gjë konkrete.
Prokurori: A ke dhënë urdhër ti të merren në pyetje të burgosur të dënuar me vdekje?
Vangjo Mitrojorgji: Unë propozova Vaskën, që të merren rishtazi në pyetje të dënuarit A. Konomi dhe A. Xega për të sqaruar disa çështje të organizatës dhe pastaj duke u nisur nga plenumi 8-të, i thashë Vaskës ta pyesim Xegën dhe për shokun Nako. Kjo ka qenë me 15.5.1948 dhe e porosita Paskal Andonin ta pyeste Xegën për Nakon se ç’dinte, kurse për Anthim Konomin, nuk i përcaktova gjë se përse ta pyeste.
Prokurori: A di ti të jenë pyetur edhe të tjerë të dënuar me vdekje pas dënimit?
Vangjo Mitrojorgji: Unë di që janë pyetur edhe deputetët mbas dënimit me vdekje dhe kur erdha nga BS, pashë deklarata për Spiro Moisiun, Gaqo Tashkon, Spiro Kolekën, por unë këto gjëra nuk i besova. Kur m’i solli Paskal Andoni këto deklarata, unë ia ktheva duke i thënë se janë gënjeshtra, por Paskali më tha se Anthim Konomi insistonte...
Vangjo Mitrojorgji: Këto nuk janë të vërteta. Unë propozova që të mos ekzekutoheshin për të nxjerrë ndonjë informatë, por nuk kam insistuar që të merren prej tyre deklarata për shokët Spiro Koleka, Medar Shtylla dhe Gaqo Tashko.
Prokurori: Po ti kishe parë dosje në Sigurim për këta shokë dhe nga ana tjetër, informata të tjera të erdhën, ç’të shtyri pra të mos i besoje ato?
Vangjo Mitrojorgji: Unë dosjet në Sigurim i kisha parë për këta, por deklaratat që më solli Paskal Andoni, nuk i besova.
Prokurori: A di gjë ti për të burgosurin Riza Alizoti, për cilin kish treguar ky?
Vangjo Mitrojorgji: Riza Alizoti bënte pjesë në organizatën tekniko-intelektuale dhe ky kish treguar për Sejfullah Malëshovën dhe për Lefter Konomin.
Prokurori: Dosjet e hapura në Sigurim për udhëheqësit dhe që u treguan këtu, a i kishe parë ti?
Vangjo Mitrojorgji: Po, dosjet e shokëve udhëheqës që u treguan këtu i kisha parë në Sigurim, ato dosje i mora në dorëzim prej Vaskë Kolecit, se ky i kishte më parë.
Prokurori: Prej vetë taktit që për këta ndodheshin dosje në Sigurim, si është e mundur që ti të mos i thoshe vartësve të tu, të mos hetonin për të grumbulluar material për këta? S’ka dyshim se kur çelen dosje dhe për ata thuhet se janë në rrugë armiku, patjetër se do të ndiqeshin gjer në fund, a është kështu?
Vangjo Mitrojorgji: Unë informatat e dosjeve i kam parë, por ato i shkonin Vaskës. Ky ia jepte ministrit dhe mandej me ndërmjetësin e Vaskës më ktheheshin prapë mua për t’i vendosur në dosje. Unë bile i kisha thënë Vaskës t’i hiqnin ato dosje dhe po të gjendej ndonjë fakt, e shihnim.
Prokurori: Ti doje heqjen e dosjeve, por nga ana tjetër ke dashur që t’u vije nga një njeri pas këtyre udhëheqësve që t’i ndiqte?
Vangjo Mitrojorgji: Vaska më tha se dosjet, mirë i heqim, por atyre t’u vemë nga një njeri afër.
Prokurori: A ishin njerëz të dyshimtë këta që kishin dosje?
Vangjo Po, që ishin të dyshimtë këta unë e kam ditur.
Prokurori: Po për arrestimet në minoritetin, ç’di ti, a janë bërë arrestime në masë?
Vangjo Mitrojorgji: Ky ishte orientimi. Më vonë mora vesh se këto arrestime nuk ishin të faktuara, porse Jashar Kasimati urdhërohej të vepronte në atë mënyrë nga Koçi Xoxe. Këto arrestime kanë pasur si konsekuencë arratisje të minoritetit në Greqi, si dhe shkaktim pakënaqësie. Di që janë arrestuar një numër i madh, por se sa ka qenë numri ekzakt, nuk e di.
Prokurori: Po në veri janë bërë arrestime të tilla në masë?
Vangjo Mitrojorgji: Po, në veri janë bërë arrestime dhe ka qenë Vaska atje në Peshkopi. Janë vrarë 10 veta pa gjyq. Di gjithashtu, se mbas rezolucionit të Informbyrosë, në veri ishin arratisur disa persona dhe kjo është shkaktuar me qëllim. Me këtë rast seksionet kërkonin marrjen e masave. Unë ia referova këtë gjë Vaskës dhe ky bisedoi me të pandehurin Koçi Xoxe dhe të nesërmen u vendos të bëheshin këto arrestime. Në Shkodër 15 veta, në Koplik 15 veta, në Kukës 10 vetë, Shkodër, rreth 15 vetë në Dukagjin, 15 vetë në Mirditë dhe numri arrin gjer në 95 veta. Unë i thashë Vaskës se po bëhen shumë arrestime, duke i shtuar se nuk është mirë t’u lihet dorë e lirë seksioneve, por të kërkojmë dhe të presim më parë material nga seksionet, e pastaj të veprohet në arrestime, por Vaska kundërshtoi, sepse zgjatej koha sa të vinte materiali së andejmi. Numri i arrestimeve u tejkalua nga seksionet sidomos në Shkodër, ku u arrestuan pothuajse dyfishi. Këto arrestime kanë shkaktuar panik dhe kanë përgatitur terrenin e agjentëve jugosllavë, duke shkaktuar arratisje në masë.
Prokurori: Kush është përgjegjës për këto vepra?
Vangjo Mitrojorgji: Për këto përgjegjës në radhë të parë është i pandehuri Koçi Xoxe, pastaj i pandehuri Vaskë Koleci, kurse për veten time nuk më vjen përgjegjësi, se unë nuk mora ndonjë vendim.
Prokurori: A kishe ti për detyrë si anëtar partie të mbroje vijën e partisë dhe a bëre ndonjë rezistencë për këtë punë?
Vangjo Mitrojorgji: Unë e pashë se ky ishte një veprim i padrejtë, unë kam liruar një pjesë me kokën time.
Prokurori: D.m.th. ti kishe në dorë të liroje të burgosurit?
Vaskë Koleci: Vangjo Mitrojorgji shkoi atje në lidhje me situatën e krijuar, për shkak të arratisjeve. Kur u bënë këto arrestime, ky nuk ka kundërshtuar aspak, bile paraqiti një relacion që kërkonte arrestimet dhe unë këtë relacion ia parashtrova ministrit.
Prokurori: Ke torturuar ti i pandehur Vangjo me dorën tënde?
Vangjo Mitrojorgji: Unë kam torturuar Syrja Selfon.
Prokurori: Në ç’mënyrë e ke torturuar?
Vangjo Kam përdorur drurin, telefonin, telin, duke e lënë pa bukë, lidhur me litar e me tel.
Prokurori: A ke përgjegjësi për këto?
Vangjo: Për torturat kam përgjegjësi dhe gjithashtu pranoj përgjegjësi për zbatimin e vijës, që torturat u bënë sistem pune.
Prokurori: Për sabotimet që bënin jugosllavët, çfarë masash janë marrë?
Vangjo Mitrojorgji: Për sabotimet që na janë referuar, unë ia kam dërguar ministrit dhe ndihmësministrit dhe mbasi përktheheshin, i jepeshin Safetit...
Prokurori: Kur ke parë sabotime të tilla, përse nuk ke ngritur zërin ti, i pandehur Vangjo?
Vangjo Mitrojorgji: Ka pasur raste sabotimesh plot që kanë bërë jugosllavët dhe nuk janë marrë masa. Rastet që janë vërtetuar gjatë kohës sime, ia kam referuar ministrit. Koçi Xoxe nuk ka urdhëruar të merren masa kundra jugosllavëve, sepse ai ata i mbronte. Edhe unë kam faj, se nuk e kam ngritur zërin me forcë.
Prokurori: D.m.th. ti nuk ke ndonjë përgjegjësi në lidhje me këtë punë?
Vangjo Mitrojorgji: Puna ime ka shpënë ujë në mullirin e Koçi Xoxes. Në punën time mbështetej Koçi Xoxe, por unë nuk kam vepruar me ndërgjegje.
Prokurori: A u revoltua ndonjëherë ndërgjegja jote karshi këtyre veprave?
Vangjo Mitrojorgji: Ndërgjegjja ime nuk u revoltua ndonjëherë, se nuk dyshoja që këto të bëheshin me qëllim.
Prokurori: A nuk i vure vetes ndonjëherë pyetjen se cili ishte ky Koçi Xoxe, ku ka luftuar, çfarë ushtrie ka organizuar, çfarë repartesh ka drejtuar?
I pandehuri nuk përgjigjet.
Prokurori: A s’të kujtohet ty të kesh bërë ndonjëherë provokacion?
Vangjo Mitrojorgji: Po, më kujtohet një rast në Konferencën e Dikastereve, pse Myftar Tare më kish thënë se shoku Njazi Islami në kohën e fashizmit kish një proces, në të cilin kish denoncuar shokët dhe këtë gjë unë e ngrita në atë konferencë, por më vonë e pranova se ishte gabim.
Prokurori: A është survejuar Abedin Shehu dhe kush e ka dhënë urdhrin?
Vangjo Mitrojorgji: Na ka thënë Koçi se Abedin Shehu duhej survejuar, se është shovinist. Unë dhashë urdhër që të survejohet.
Kryetari: ç’di ti për provokacionin që i është bërë Myslim Pezës?
Vangjo Mitrojorgji: Më 1946 Myslim Pezës i qe dërguar një grua me urdhër të Koçi Xoxes dhe ky ka qenë një provokacion. Unë pranoj se kam zbatuar urdhrat e Koçit...
Kryetari: ç’lloj torturash janë përdorur si metodë hetuesie, i pandehur Vangjo?
Vangjo Mitrojorgji: Në hetuesi qe metodë pune tortura. Janë praktikuar lloje të ndryshme torturash si p.sh. goditje me pëllëmbë, lënie pa bukë për ditë të tëra, lidhje duarsh e këmbësh me hekur të rëndë jeleku, ujë të ftohtë për të lagur kokën me litar në kovë. Këto metoda bisedoheshin dhe janë ngritur edhe në mbledhje dhe torturat kanë ardhur duke u perfeksionuar.
Kryetari: Di ti të jenë bërë internime?
Vangjo Mitrojorgji: Nga minoriteti di se janë arrestuar shumë dhe këto internime bëheshin me urdhrin e Koçit.
Kryetari: A e pranon procesin hetimor, i pandehur Vangjo?
Vangjo Mitrojorgji: Po, procesin hetimor e pranoj.
Mbi këtë i pandehuri Koçi Xoxe paraqiti një notë verbale shkruar me dorën e tij.
Deklarata e Refat Veizatit,
Shofer i Nesti Kerenxhit
Kam qenë në Drejtorinë e Sigurimit në vitin 1946 deri në fund të vitit 1947, me shërbim si shofer pranë Nesti Kerenxhit e të tjerëve, që ishin në Drejtori. Dua të them se me shërbimin tim si shofer që kam qenë i Nesti Kerenxhit, në kohën e fundit të vrasjes së Nako Spiros, Nesti e gjurmonte atë kudo që shkonte. Në ndjekjet që i bënte, ky kishte marrë një makinë “Miliçento” të vjetër që të mos njihej dhe kur ai shikonte se takohej në ndonjë rrugë me makinën e Nakos, ulte kokën që të mos e shikonte dhe më thoshte mua që shkoi prapa. Nga ana tjetër, në ditët e fundit kur Nako do të vriste veten, ky e ndiqte këmba-këmbës me makinë dhe kur Nakua vinte në shtëpi, ky më thoshte mua që ta lija makinën prapa të ndezur dhe vetë futej te Koçi dhe kur del Nako nga shtëpia, ky me vrap dilte nga shtëpia, hipte në makinë dhe i ramë prapa. Kjo ishte dita e fundit e vrasjes së Nakos, kur Nako vajti në zyrë, Nesti u fut brenda dhe nga dritarja po e shihte, ku më poshtë isha edhe unë. Kur Nako vrau veten, ne e pamë. Nesti menjëherë hipi në makinë dhe vajti në drejtori. Mua më tha që ato që pashë, të mos ia tregoja askujt, sepse përndryshe më priste automatiku. Por ti, më tha, merre atë makinën “Plimuth” dhe hajde të shkojmë ku vajtëm në vendin e ngjarjes dhe kur ky vajti atje brenda, ku ishte vrarë Nako, me habi si i paditur përpiqte duart se ç’na gjeti, duke thënë se humbëm shokun më të mirë etj. Unë me veten time u çudita se si mund të ndodhte kështu. Ky, nga njëra anë e gjurmonte, nga ana tjetër e qante. Kur vajtëm në drejtori, ai telefonoi menjëherë Koçin. Nesti, gjithmonë vinte me një oficer jugosllav, që rrinte në shtëpinë ku ishte Divizioni i Mbrojtjes së Popullit. Edhe unë e çoja gjithnjë. Ai më thoshte gjithnjë që ta mbaja makinën se mos e shihnin, por ta futja në njërën anë, që të mos dukej se ndodhet në këtë shtëpi, por ta vija më poshtë. Këtë lëvizje, Nesti e bënte natën.
Deklaratat e Nesti Kerenxhit
...Në drejtori kanë ardhur disa lista kosovarësh të ikur nga Kosova dhe dezertuar nga ushtria, që kërkoheshin për t’u arrestuar nga jugosllavët. U është dhënë urdhër organeve tona që me t’i kapur këta persona, t’i përcillnin në Jugosllavi dhe kjo punë është bërë.
Për çështjen e vëllait të atij që vrau Miladin Popoviçin, (Qemal Taha - shënim) unë nuk kam ditur gjë. Kur jam kthyer nga Nju-Jorku, Vaskë Koleci më ka thënë se kishte pushkatuar një farë Taha. Atëherë unë kam menduar se do të ishte një i quajtur Taha, që OZNA më duket na e kishte dërguar të arrestuar si agjent anglez dhe që ne e mbanim në burg. Nuk di nëse ky Taha është po ai që pushkatuam dhe që ishte nëpunës i Ministrisë së Bujqësisë.
(shënim: Qemal Taha, dy oficerë gjermanë dhe Andrea Zisi u pushkatuan pa gjyq në Sauk më 27 mars 1946).
Vendimet mbi arrestimet ose masat e tjera merreshin në bazë të materialit që vinte nga poshtë, që disponohej. Përgjithësisht, për arrestimet e kryera është marrë miratimi i Koçi Xoxes, të cilat janë bërë gjithnjë me urdhrin e tij. Ka pasur arrestime të shkëputura, që janë kryer me nismën e punëtorëve të Sigurimit.
Torturimi ishte bërë vijë në organet e Sigurimit, megjithëse ka pasur urdhra për ndalimin e tij. Asnjëherë nuk janë marrë masa për shkelësit e këtyre urdhrave. Kur jam kthyer nga Nju Jorku, kam vërejtur se torturat ishin bërë shumë të zakonshme, gati çdo i proceduar ishte torturuar dhe veç kësaj, ishin shtuar edhe forma të tjera torturash si p.sh. përdorimi i jelekut. Për të gjitha këto, Vaskë Koleci mburrej...
Për Myslim Pezën mund të them këto gjëra: Myslimi më ka thënë se kur ka qenë në Jugosllavi, në shtëpi të Qazim Kokoshit, mbi tavolinë kishte gjetur një letër të Haxhi Lleshit, që i vinte nga Shkupi dhe thoshte se kishte vajtur te legata angleze, kishte marrë paratë dhe një pjesë ia kishte dërguar Myslimit.
Deklaratat e Lefter Lakrorit
Në Sigurim kam hyrë në gusht 1945, si zëvendës shef i Sigurimit në Korçë. Di se Naum Bezhanit i ka ardhur një letër nga Nesti Kerenxhi, ku e njoftonte për vendndodhjen e Pal Terovës, i cili duhet të kapej dhe të ekzekutohej rrugës, duke thënë se kishte ikur. Në fund të letrës thuhej: “Këndoje dhe digje”. Pal Terova u vra në shtëpinë e tij.
Në këtë kohë është arrestuar Arif Gjyli, për arrestimin e të cilit jam ngarkuar unë, Thoma Karamelo dhe Raqi Zavalani. Nesti na thotë mua dhe Thomait që të dilnim në rrugën Durrës – Tiranë, ndërsa më pas do të vinte Raqi si shofer duke pasur brenda makinës Arif Gjylin. Ne do të ndalim makinën, do të arrestonim Arifin brenda saj dhe kështu vepruam. Që atë ditë u futëm në rrugën e Sukthit dhe në darkë e sollëm në Tiranë, ku në pyetje e mori vetë Nesti. Të nesërmen në shtyp u njoftua se Arifi u kap në kufi. Nesti, tani pas plenumit të 11-të më tha se Arifi është arrestuar me vendim të byrosë...
Deklaratat e Zoi Themelit
Nga mesi i vitit 1945 jugosllavët, duke shoqëruar një numër kosovarësh të mobilizuar për në Mal të Zi, i vrisnin në masë rrugës, pa pasur faj. Nga ky veprim disa kosovarë mundën të iknin dhe të dorëzohen në organet tona, duke u kërkuar mëshirë dhe mbrojtje për të shpëtuar kokën. Ne, duke parë këto veprime antinjerëzore, kemi vënë në dijeni me telegrame e shkresa Drejtorinë e Sigurimit dhe kemi sugjeruar që të shpëtuarit të mos u jepeshin jugosllavëve, se do t’i vrisnin. Njëkohësisht, kemi kërkuar të vihej në dijeni qeveria jugosllave, pasi ne kujtonim se bëheshin pa dijeninë e saj. Mirëpo Koçi Xoxe na urdhëroi që kosovarët t’i dorëzoheshin jugosllavëve. Ne nuk e pritëm mirë këtë urdhër. Nga sa jemi informuar, disa nga të riatdhesuarit kanë gjetur vdekjen në Jugosllavi...
Mbas çlirimit të Shqipërisë, janë lejuar organet e UDB-së të ngrinin spiunazhin në Shkodër, me qëllim që gjoja të zbulonin armiqtë e popullit jugosllav. Kishin të drejtë edhe t’i arrestonin personat që dyshonin. OZN-a në atë kohë kishte dërguar majorin Niko Piper, i cili arrestoi një numër të madh personash pa na pyetur fare ne. Shumë nga këta njerëz vritesh rrugës, disa edhe në tokën shqiptare.
Për të gjitha këto ka pasur dijeni edhe Koçi Xoxe. Nga mesi i vitit 1945, jugosllavët duket shoqëruar një numër kosovarësh të mobilizuar për në Mal të Zi, rrugës vrisnin shumë prej tyre. Ata që shpëtuan, kërkuan mëshirë e mbrojtje prej organeve tona. Ne, duke parë këto veprime antinjerëzore që bënin njerëzit e rekrutuar në Kosovë, kemi vënë në dijeni qendrën, duke sugjeruar që këta njerëz të shpëtuar të mos u jepeshin jugosllavëve. Mirëpo, Koçi Xoxe na urdhëroi t’i dorëzonim tek jugosllavët të dorëzuarit. Mesa u informuam disa prej tyre gjetën vdekjen...
Deklaratat e Kopi Nikos
Për të maskuar vdekjen e tij (Pal Terovës – shënim) para opinionit, kemi therur një qengj dhe gjakun e tij e kemi futur në një shishe. Pas kësaj, kemi marrë kufomën dhe e kemi vënë në një makinë tip “Xhips” dhe jemi larguar rreth 15 -20 km larg Korçës, në drejtim të Ersekës, ku kemi qëndruar në afërsi të një fshati. Mbasi ndaluam, e zbritëm kufomën nga makina, e vumë poshtë xhadesë në një arë dhe e qëlluam 2 herë me revolver në kokë dhe pas kësaj, në vrimat e krijuara, derdhëm gjakun e qengjit, për të treguar se ishte vrarë, gjoja duke ikur. Menjëherë pas kësaj, thërrasim këshillin e fshatit dhe urdhërojmë që ta varrosin në vend, sepse i vrari ishte orvatur të arratisej duke dalë nga makina. Njëkohësisht, u urdhëruam që familja të mos lejohej të tërhiqte kufomën, në rast se e kërkonte një gjë të tillë. Në të kundërt, këshilli do të mbante përgjegjësi...
vijon nesër...